Përmbytjet shkatërruese që goditën kodrat e Teksasit kanë lënë pas një bilanc tragjik: të paktën 111 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 172 të tjerë rezultojnë të zhdukur, sipas autoriteteve amerikane.
Situata më e rëndë raportohet në Qarkun Kerr, ku janë konfirmuar 87 viktima.
Përgjatë lumit Guadalupe, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende, me qindra punonjës emergjence të angazhuar në përpjekje për të gjetur të mbijetuar, transmeton Gazeta Shneta.
Një kamp veror i krishterë vetëm për vajza, i vendosur pranë lumit në zonën Hunt, ka pësuar humbje të rënda. Të paktën 27 kampiste dhe punonjës kanë humbur jetën nga vërshimet, ndërsa gjashtë persona, përfshirë pesë vajza dhe një punonjëse, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Autoritetet thonë se priten edhe zhvillime të tjera gjatë orëve dhe ditëve në vijim, ndërsa operacionet vijojnë nën kushte të vështira./Gazeta Shneta/




