Shtetet e Bashkuara po përballen me vitin më të rëndë të përhapjes së fruthit që nga fillimi i viteve 90-ta. Deri më tani, në vitin 2025 janë raportuar 1,288 raste, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ndërsa shpërthimet vazhdojnë në të paktën 14 shtete. Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i lartë.
Sipas burimit Euronews Health, ky numër tejkalon rastet e vitit 2019, kur SHBA ishte pranë humbjes së statusit si vend që kishte eliminuar fruthin – një sëmundje e parandalueshme me vaksinë.
Mes tjerash, ky status rrezikohet sërish nëse virusi vazhdon të përhapet pa ndërprerje për 12 muaj. Megjithatë, vendi është ende larg nivelit të vitit 1991, kur u regjistruan 9,643 raste, transmeton Gazeta Shneta.
CDC vazhdon të rekomandojë vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) si mënyrën më të mirë për t’u mbrojtur, dhe po ndihmon komunitetet për të frenuar shpërthimet në rritje.
Shpërthimi më i madh nisi pesë muaj më parë në komunitete me mbulim të ulët vaksinimi në Teksasin Perëndimor. Deri tani janë raportuar tre viktima – dy fëmijë në Teksas dhe një i rritur në New Mexico – ndërsa dhjetëra të tjerë janë shtruar në spital.
Ekspertët shprehin shqetësim për përhapjen në të gjithë vendin dhe ndikimin e hezitimit ndaj vaksinimit. “Fruthi është si një paralajmërim i hershëm i krizës,” tha Lauren Gardner nga Universiteti Johns Hopkins. /Gazeta Shneta/




