Shkëputja e papritur e fondeve nga SHBA për programet ndërkombëtare kundër HIV/AIDS-it mund të çojë në katër milionë vdekje dhe gjashtë milionë infeksione të reja deri në vitin 2029, paralajmëroi agjencia e OKB-së për AIDS (UNAIDS).
Këto fonde kanë qenë shtylla kryesore për dekada në furnizimin me barna, diagnostikim dhe shërbime për komunitetet më të prekura në Afrikë dhe Azi.
Por ndërprerja e ndihmës në fillim të vitit 2025 – pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar të gjithë ndihmën e jashtme – ka shkaktuar ndërprerje në furnizime, mbyllje të qendrave shëndetësore dhe shkurtim të shërbimeve jetike, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Programi PEPFAR, i nisur nga presidenti George W. Bush në vitin 2003, ka ndihmuar në trajtimin e mbi 20 milionë personave dhe testimin e mbi 84 milionë të tjerëve. Në disa vende, si Nigeria, ky program mbulonte mbi 99% të furnizimit me barna për parandalimin e HIV-it.
Aktualisht, rreth 630,000 persona vdesin çdo vit nga AIDS-i, me shumicën e rasteve në Afrikën Sub-Sahariane.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e mbështetjes financiare mund të çojë në kolaps të sistemit global të parandalimit dhe trajtimit të HIV/AIDS-it.
Ndërkohë, një ilaç i ri parandalues që merret dy herë në vit, i quajtur Sunleca, është aprovuar nga FDA dhe ka treguar efikasitet të plotë në parandalimin e HIV-it. Por çmimi i lartë e bën atë të papërballueshëm për shumicën.
“Ne mund ta ndalnim AIDS-in,” tha aktivisti Peter Maybarduk. “Në vend të kësaj, SHBA po e braktis këtë luftë”. /Gazeta Shneta/




