Gjatë ditës në Odën e Farmacistëve të Kosovës është zhvilluar provimi për rilicencim, i organizuar për ata anëtarë që nuk kanë arritur të plotësojnë numrin e nevojshëm të pikëve për rilicencim, nga Komisioni profesional i udhëhequr nga Prof. Dr. Driton Shabani.
Pjesëmarrja simbolike në këtë provim, me vetëm dy kandidatë, dëshmon përkushtimin e farmacistëve ndaj edukimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit profesional.
Kjo është një dëshmi që koncepti i ngritjes së kapaciteteve profesionale po gjen gjithnjë e më shumë zbatim në praktikë. OFK shpreh shpresën që në të ardhmen ky trend të vazhdojë dhe numri i pjesëmarrësve në provimin e rilicencimit të jetë gjithnjë më i ulët.
Në përfundim të procesit, Komisioni mbajti një takim koordinues pune me Kryetarin e OFK-së, Kadri Bytyqi, dhe zëvendëskryetarin, z. Astrit Haxhijaha, ku u diskutuan format më efikase për vazhdimin e këtij procesi në të ardhmen.


