Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

E drejta e siguruar për t’u informuar rreth diabetit

Lajme 31/07/2025
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Infermierja Arita Musliaj /Gazeta Shneta
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Spitali i Përgjithshëm i Pejës, ka filluar të ecë para drejt informimit të pacientëve/eve mbi vetëmenaxhim të sëmundjeve kronike jongjitëse duke i përfshirë ata/ato në vendimmarrje dhe në qendër të kujdesit shëndetësor.

Nga Diana Basholli

Çdo mbrëmje, pak para orës nëntë, Ylfete Spahija, i jepte fund zhurmës së ditës përmes fikjes së televizorit dhe ulej në kolltukun pranë ballkonit. Ngjyrat e muzgut që bien mbi xhamat përballë dhe qetësia e qytetit, i sjellte një freski të lehtë, në katin e dytë të një ndërtese të re në komunën e Klinës. Një vibrim i fortë nga telefoni, i vendosur larg në karikues, ndriçuan dhomën e errët, teksa ktheu kokën drejt tingullit. Dhe pastaj një mesazh i shfaqur në ekran: “koha për të matur sheqerin tuaj”, ishte bërë pjesë e jetës së saj – si thirrje teknologjike, tasht e gjashtë muaj.

Përmes glukometrit, ajo filloi procedurën e zakonshme rutinë të matjes së sheqerit. Ndërsa aparati pipëtinte, ajo herëpasherë, ngrinte vetullat si me shqetësim e ndrojtje, si gjithmonë para leximit të vlerave. “Për sonte 7.2”, thotë ajo, teksa merr në dorë përsëri telefonin. Kësaj radhe për të shënuar vlerën në aplikacion. Sipas udhëzimeve të organizatave ndërkombëtare shëndetësore, një vlerë sheqeri (glukoze) prej 7.2 mmol/L e matur para gjumit konsiderohet brenda intervalit të synuar (5.0–8.0 mmol/L).

“Shumë më mirë po e ndjej veten, pas një dite të ngarkume me punë, përgatitje të lehtë të gjellërave pa erëza dhe kryesisht me ecje”, tregon Spahija teksa ruante të dhënat në aplikacion. Ajo ishte e sigurt që mjekja e saj endokrinologe do t’i kontrollonte vlerat e sheqerit për të vlerësuar se si i kishte vajtur dita në vetëmenaxhimin e diabetit. “Bravo Ylfete, veç vazhdo kështu”, ishte mesazhi më i shpeshtë që kishte marr nga mjekja e saj – në distancë.

“Nuk e kam mendu fare, që këto mesazhe kanë me ndihmu emocionalisht m’u ndje ma mirë dhe e sigurt që nuk jam vetëm në këtë rrugë”, tregon 51-vjeçarja rreth përshtypjeve të para që i kishte fituar nga përdorimi i aplikacionit mobil të parin e këtij llojit.

Ndonëse, ajo tregon se nuk është shumë e dhënë pas teknologjisë, kjo rutinë i është bërë tashmë zakon – si larja e dhëmbëve para gjumit. “Shpejt ja kom marr dorën, ka mjaftu njëherë vajza kur m’i ka shpjegu gjanat qysh me hi e me përdorë aplikacionit. Ka qenë mjaft i thjeshtë për përdorim”.

Ylfete Spahija
Ylfete Spahija, 51-vjeçare nga Klina, tregon rutinën e vetëmenaxhimit të diabetit përmes aplikacionit mobil MonitorIM. / Fotografia: Gazeta Shneta

Ndërkohë, Spahija ka trembëdhjetë vite që jeton me diabet tip 2, një diagnozë që i kishte ardhur gjatë shtatzënisë së pestë e të fundit të saj. Aso kohe, ajo s’dinte çfarë ndodhte me trupin e saj – lodhje, të fikët, e sheqer që merrte rrugën drejt ngjitjes. Ndonëse në kohën të ndjeshme të amësisë, Spahija tregon se kjo diagnozë disi nuk e ishte e papritur për të. Në familjen e saj kishte tashmë histori të pacientëve me diabet – babai, xhaxhai dhe kushërinjtë e afërt gjithashtu të prekur nga kjo sëmundje.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), diabeti mellitus është një sëmundje kronike që ndodh kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur trupi nuk përdor insulinën në mënyrë efektive. Insulina është një hormon që ndihmon në kontrollimin e nivelit të sheqerit (glukozës) në gjak.

Diabeti kërkon menaxhim afatgjatë për të parandaluar komplikimet. Aplikacioni mobil i ashtuquajturi “MonitorIM”, i zhvilluar në fazën e pilot-projektit ka përfshirë qytetin e Pejës me rrethinë në muajin shkurt të 2025.

Monitorimi i pacientëve me diabet dhe hipertension në distancë, u bë si përpjekje e shtuar drejt vetëmenaxhimit të sëmundjeve kronike jongjitëse (SKJ) në kuadër të projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), e cila financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe implementohet nga Instituti Zviceran për Shëndetin Tropikal dhe Publik.

Sipas OBSH-së, SKJ përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë, paaftësisë dhe vdekjeve në mbarë botën, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Çdo vit, ato marrin jetën e mbi 41 milionë njerëzve, e që përbën rreth 74% të të gjitha vdekjeve në nivel global.

SKJ zakonisht kanë një kohëzgjatje të gjatë dhe lindin si rezultat i një kombinimi të faktorëve gjenetikë, fiziologjikë, mjedisorë dhe të sjelljes. Sëmundjet dominate të këtij grupit përfshijnë: sëmundjet kardiovaskulare, kanceret, sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe diabetin.

Duke u bazuar në të dhënat e OBSH-së, tetë është numri i faktorëve kryesor të rrezikut për SKJ, katër nga të cilët janë të sjelljes (pirja e duhanit, pasiviteti fizik, konsumimi i alkoolit dhe ushqimi jo i shëndetshëm) dhe katër fiziologjik – metabolik (tensioni i lartë i gjakut, mbipesha/obeziteti, glikemia dhe kolesteroli i rritur), si dhe faktorët ambiental. Gjysma e këtyre sëmundjeve mund të parandalohen përmes stilit të jetës së shëndetshme.

Ylfete Spahija
Ylfetja ka trembëdhjetë vite që jeton me diabet tip 2, një diagnozë që i kishte ardhur gjatë shtatzënisë së pestë e të fundit të saj. / Fotografia: Gazeta Shneta

Në vendin tonë, të dhënat nga Studimi Kohort i Sëmundjeve Jongjitëse në Kosovë (KOSCO) i realizuar nga projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), në vitin 2020, tregojnë se ushqimi i dobët (85%), pasiviteti fizik (70%), obeziteti (53%) dhe duhani (21%) janë faktorë të zakonshëm të rrezikut për SKJ.

Teksa, në anën tjetër, aktiviteti fizik vlerësohet si një ndër faktorët më të fuqishëm të modifikueshëm në parandalimin dhe kontrollimin e SKJ.

Ndërkohë, për të parë nga afër këtë faktor, në kuadër të një studimi cilësor të iniciuar nga AQH dhe të publikuar në vitin 2022 në revistën “BMC Primary Care”, pacientët me diabet dhe hipertension në Kosovë kanë ndarë përvojat për barrierat që përjetojnë në lidhje me aktivitetin fizik.

Për këtë studim, u intervistuan 26 pjesëmarrës me SKJ të cilët morën shërbimet e tyre të kujdesit shëndetësor parësor publik nga pesë komuna të Kosovës (Mitrovicë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Gjakovë dhe Malishevë). Pastaj u identifikuan tri çështje kryesore që ndikonin në sjelljen ndaj aktivitetit fizik: mjedisi i ndërtuar i lagjes, problemet shëndetësore dhe mbështetja sociale.

Pjesëmarrësit përmendën disa pengesa strukturore në mjedisin e lagjes si arsye për mungesën e aktivitetit fizik, përfshirë trotuaret e mbipopulluara, mungesën e hapësirave të gjelbra, ndriçimin e dobët në hapësirat publike dhe trafikun e dendur. Teksa, sa i përket shëndetit, shqetësimet fizike, stresi, dhe mungesa e energjisë ishin arsyet më të zakonshme që vononin ose pengonin angazhimin në aktivitet fizik. Ndërkohë, mungesa e mbështetjes sociale veçanërisht nga miqtë — doli si një pengesë shtesë për të ushtruar rregullisht.

Gjetjet e këtij studimi, mbështesin fuqishëm politikën e propozuar nga OBSH-ja të njohur si “Shëndeti në të gjitha Politikat (HiAP)”.

HiAP është një qasje që synon integrimin e shëndetit dhe mirëqenies në politikat e ndryshme të sektorëve jo-shëndetësorë. Ky model mund të adresojë më së miri pengesat strukturore siç është mjedisi i ndërtuar i lagjes apo dhe më e rëndësishmja, formësimin e sjelljeve të duhura rreth shëndetit më herët qysh në programet edukative shkollore.

Pikënisja drejt edukimit shëndetësor

Prej katër vitesh, Spahija ndjek rregullisht këshillimoren në repartin internistik të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Kjo këshillimore me ndihmën e IHS është mbështetur me një dhomë të veçantë në hapësirat e spitalit. E pajisur me tavolina të mëdha e të mbushura me fletushka të përditësuara rreth diabetit dhe hipertensionit, injeksione të insulinave për testim, aparate e disqe, kjo këshillimore udhëhiqet nga një infermiere e trajnuar sipas modelit zviceran për të gjithë pacientët nevojtar për këshilla motivuese dhe informacione rreth SKJ-së.

Arita Musliaj, infermiere në krye të këshillimores thotë se përveç pacientëve, aty marrin këshilla edhe familjarët dhe kujdestarët e tyre. “Brenda muajit numri që vie në këshillimore për udhëzime dhe rekomandime arrin dikund deri në 100 pacientë me sëmundje të diabetit dhe hipertension, me moshën dominuese 65+”, thotë ajo.

Pikërisht këto këshilla, ka ndikuar në ecurinë dhe mbarëvajtjen e vetëmenaxhimit të diabetit tek Spahija. “Prej kur kam fillu me ardhë në këshillimore, kam fitu vetëbesim për diabetin. Nuk kam pas ma frikë prej përdorimit të insulinave. Tasht i njoh edhe simptomat ma mirë – nëse më rritet sheqeri, e di si të veproj”, thotë ajo.

Roli mbështetës dhe informues i këshillimoreve rreth menaxhimit të SKJ-së është vërtetuar edhe përmes hulumtimeve cilësore dhe sasiore. Një studim i publikuar në vitin 2022 në “BMC Health Services Research” nga AQH-ja, përfshiu intervista më të thelluara me pjesëmarrës nga një nëngrup prej 26 personash me diabet dhe hipertension, të cilët morën këshillime motivuese në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në 12 komuna të Kosovës.

Pjesëmarrësit që më parë nuk ishin fizikisht aktivë dhe nuk ndiqnin zakone të shëndetshme ushqimore, përfituan nga këshillimi motivues, i cili ndikoi në rritjen e vetëdijes së tyre për të ndryshuar sjelljet e dëmshme.

Këshillimorja në repartin internistik të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës është funksionalizuar dhe pajisur me një dhomë të veçantë, me mbështetjen e organizatës zvicerane IHS. /Fotografia: Gazeta Shneta

Ndërkohë, përveç këshillimores, Spahija tregon se në fillim të këtij viti ka qenë pjesë e trajnimeve për fazën e pilot-projektit për aplikacionin mobil në Pejë. Një lëvizje si kjo, ishte më se e qëlluar, sipas saj, për kujdesin ndaj shëndetit.

“Ka ndodhë ma heret, shpesh kam harru me mat mbramje sheqerin. Sot um vjen një paralajmërim në telefon”, tregon ajo teksa ndan një detajë tjetër rreth aplikacionit: “Ose ka ndodhë i kam pas përshembull vlerat e larta të sheqerit në gjak, edhe më ka thirrë në telefon menjëherë, Dr. Teuta për me ditë arsyjenë e kësaj gjendje”, kujton Spahija teksa tregon për ndërhyrjet në distancë të rritjes së dozave të insulinës dhe planit pasues për dietën ushqyese.

Ndërkohë, vlerat e rritura të sheqerit, të regjistruara në aplikacionin mobil, Teuta Mulla-Goga, endokrinologe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, i merr në distancë përmes një grafikoni sinjalizues, ku ngjyra e kuqe tregon tejkalimin e kufijve të lejuar. Ajo për burimin e Gazetës Shneta, tregon se mjeku po bëhet gjithnjë e më shumë një udhërrëfyes, ndërsa edukimi për diabetin është thelbësor.

“Një pacient i edukuar është më i përgatitur për menaxhimin e sëmundjes, duke marrë pjesë aktive në kujdesin ndaj vetes”, thotë ajo teksa në këtë formë, pacienti mëson të kuptojë rrjedhën e sëmundjes.

Në fazën testuese të pilot-projektit për aplikacionin mobil në Pejë, ku është e inkuadruar Mulla-Goga si mjeke përcjellëse e gjendjes në distancë, fillimisht janë përfshirë rreth njëzet persona me diabet dhe hipertension. Në këtë grup ka pjesëmarrës dhe nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptian.

Teuta Mulla-Goga, endokrinologe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës tregon se mjeku po bëhet gjithnjë e më shumë një udhërrëfyes, ndërsa edukimi për diabetin është thelbësor. /Fotografia: Gazeta Shneta

Sipas, një ankete të UNFPA-së e zhvilluar në vitin 2011 në Fushë Kosovë me familje nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, gjetjet zbuluan se 36% e të anketuarve kishin probleme shëndetësore. Sëmundjet më të shpeshta ishin sëmundjet e zemrës (30%) dhe astma (20%). Kjo gjithëpërfshirje në pilot-projekt në Pejë, mbështet fuqishëm një fillim rreth parimeve bazë mbi të drejtat rreth shëndetit dhe marrjen e informacioneve të sakta përkitazi kornizës ligjore në vend.

Menaxhimi efektiv i diabetit në distancë, kërkon një qasje ndërdisiplinare që vendos pacientin në qendër dhe nxit bashkëpunimin mes profesionistëve shëndetësorë.

Aplikacioni mobil i zhvilluar për pacientët në Pejë, mbështetet në një trekëndësh funksional – mjekë, infermierë dhe pacientë – një strukturë me përgjegjësi të ndara.

Pacienti/ja udhëzohet që çdo ditë të regjistrojë në aplikacion vlerat e matura të glukozës dhe tensionit të gjakut. Infermierja, nga distanca, monitoron rregullisht këto të dhëna dhe ndërhyn në rastet kur ato nuk janë shënuar me kohë ose për një periudhë të caktuar. Mjeku/ja trajtues/e kontrollon vlerat dhe në varësi të tyre, dërgon një mesazh për të siguruar që pacienti është në rrugën e duhur për vetëmenaxhim. Në raste të kundërta, kur vlerat janë të larta dhe jo në përputhje me praktikat e mira të menaxhimit, mjeku/ja ndërhyn përmes thirrjeve telefonike dhe këshillimeve të mëtejshme.

Ky model është i mbështetur në teorinë biopsikosociale të kujdesit shëndetësor, e cila thekson se trajtimi i këtyre sëmundjeve nuk është vetëm klinik, por përfshin edhe dimensione psikologjike dhe sociale që ndihmojnë pacientin të ndryshojë sjelljet e dëmshme.

Studime të shumta kanë treguar se kjo qasje e koordinuara mes mjekëve dhe infermierëve, me pacientin në qendër, rezulton në përmirësim të vetë-menaxhimit të SKJ dhe ulje rreziku për komplikime afatgjata.

Arita Musliaj, infermiere në krye të këshillimores tregon ecurinë dhe mbarëvajtjen e vetëmenaxhimit të diabetit në distancë përmes MonitorIM. / Fotografia: Gazeta Shneta

Politikat shëndetësore të orientuara drejt nevojave të pacientëve

Spitali i Përgjithshëm i Pejës, në mars të vitit 2024, u bë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH).

Arta Hyseni, zyrtare për cilësi dhe siguri të shërbimeve, tha se një spital promovues nuk fokusohet vetëm në trajtim, por edhe në edukim shëndetësor me përfshirjen e pacientit në politikat shëndetësore– një qasje më gjithëpërfshirëse se spitali tradicional.

“Pacientët marrin këshillim të drejtpërdrejtë nga infermierët dhe profesionistët shëndetësorë, veçanërisht ata me sëmundje kronike si diabeti”, thotë Hyseni teksa thekson inicimin e krijimit të dhomave të edukimit shëndetësor në repartet spitalore për informim të pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Për të matur rezultatet e promovimit model të spitalit, Hyseni tregon se është zhvilluar dhe standardizuar një anketë me mbështetjen e organizatës IHS, për përvojën e pacientit gjatë qëndrimit në spital. Kjo anketë i mundëson atyre të shprehin mendimin për kujdesin e marrë, qasjen e stafit, informacionin e ofruar dhe ndihmën rreth vetëmenaxhimin e sëmundjes.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës për Pacientët me Diabet në Pejë, Idriz Ethemi, thotë se shoqata që ai e drejton që nga vitit 2010, ka qenë së fundmi pjesëmarrëse në trajnimet e organizuara të modelit zviceran rreth politikave shëndetësore me pacientin në qendër.

“Temat që u trajtuan si qasja në barna, komunikimi me mjekët dhe të drejtat e pacientëve ishin shumë të afërta më realitetin e përditshëm të pacientëve në komunitetin tonë”, thotë Ethemi.

Megjithatë, ai thekson se organizatat e pacientëve duhet të përfshihen rregullisht në takimet dhe vendimmarrjet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe komunat sepse askush nuk e njeh më mirë realitetin sesa vetë pacienti.

Për të fuqizuar më shumë zërin e pacientëve në qendër të politikave rreth shëndetit në tetor të vitit 2024, Shoqata për Pacientët me Diabet në Pejë, si një nga nëntë organizatat shëndetësore vepruese në Kosovë, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës (PRAK) nën mbështetjen e plotë të organizatës zvicerane IHS.

Sinergjizimi i rrjetëzimi të nëntë organizatave në kuadër të PRAK, ka për qëllim që kërkesat dhe zëri i pacientëve të jetësohet më shumë. Përfshirja e tyre në vendimet rreth shërbimeve të ofruara nga sistemi i kujdesit shëndetësor, trajnime brenda dhe jashtë vendit, ligjerata dhe fushata të ndryshme në menaxhimin dhe kontrollimin e SKJ-së janë vetëm disa nga pikat kyçe të synuara përmes këtij memorandumi.

Prej katër vitesh, Ylfetja ndjek rregullisht këshillimoren në repartin internistik të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. /Fotografia: Gazeta Shneta

Ndërkohë, për të përafruar këtë teori, një pilot-studim i publikuar në vitin 2019 në “Springer Nature Link”, po analizon mundësinë e krijimit të një modeli të kujdesit të integruar dhe të personalizuar geriatrik.

Sipas studimit, të moshuarit mbi 65 vjeç me diabet tip 2 në Kosovë përballen shpesh me sfida shëndetësore dhe sociale që nuk zbulohen në kujdesin rutinë. Për t’i adresuar këto nevoja, projekti AQH në Fushë Kosovë, ka filluar me një ndërhyrje, ndër të parat në vend, që synon të përmirësojë fokusin në nevojat e pacientit si individ, dhe jo vetëm në trajtimin e sëmundjes.

Kosova mund ta shfrytëzojë strukturën e saj të re të popullsisë për të adresuar në mënyrë proaktive SKJ dhe për të zvogëluar ndikimin financiar mbi sistemin shëndetësor. Sipas raportit të Bankës Botërore, të vitit 2023, vlerësohet se deri në vitin 2031, në vendin tonë mbi 30 për qind e popullsisë do të jetë mbi 50 vjeç, ndërsa deri në vitin 2061, mbi 50 për qind e popullësisë do të jetë mbi 50 vjeç. 

Ndërkohë, ligji Nr. 02/L-78 për Shëndetësi Publike në Kosovë parasheh që SKJ-të të adresohen përmes masave parandaluese dhe akteve nënligjore, teksa, promovimi i shëndetit vlerësohet si një shtyllë thelbësore në këtë proces. Në vijim të kësaj qasjeje, Ministria e Shëndetësisë pati miratuar në tetor të vitit 2023, Planin e Veprimit për SKJ (2023–2025).

Megjithatë, sipas analizës SWOT (Strengths, Weaknesses Opportunities, Threats) të sqaruar në këtë plan, korniza ligjore ende e mangët për SKJ, shkalla e ulët e raportimit të të dhënave, mungesa e digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm ndërsektorial janë vetëm disa nga mangësitë e evidentuara që duhet adresuar tutje në lidhje me këtë çështje.

Nga origjina e vitit 1925, kur shëndetësia publike nisi të marrë formë në Kosovë e deri te viti 2025, Peja shënon një udhëtim njëqindvjeçar në kohë – nga e kaluara e vështirësisë drejt epokës së teknologjisë.

Në fundin e ditës, para se të fikë dritën dhe të shtrohet në shtrat, Spahija përtej kilometrave, pranon mesazhin e dërguar në kohë nga mjekja Teuta rreth shëndetit të saj. Kështu, kujdesi bëhet i pranishëm edhe në qetësinë e natës, duke e bërë distancën të padukshme dhe përcjelljen e diabetit më të afërt se kurrë.

/Gazeta Shneta/

Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së.

Artikulli paraprakTrajtimi eksperimental rikthen shikimin e një burri me çrregullim gjenetik të syve në Itali
Artikulli i rradhës Kina u ofron prindërve 1,500 dollarë në muaj për të nxitur lindjet

Ju sugjerojmë

Foshnja vdiq nga uria, prindërit gjermanë dënohen me burgim të përjetshëm

21/07/2026 Lajme

Tre të vdekur nga hantavirusi në Venezuelë

21/07/2026 Lajme

IQK ndalon punimet në 16 vendpunishte për shkelje ligjore që rrezikojnë punëtorët

21/07/2026 Lajme

IHMK lëshon paralajmërim, stuhi të fuqishme priten të mërkurën në gjithë Kosovën

21/07/2026 Lajme

Mjekët mbeten pa fjalë: Gruaja 34-vjeçe në Australi sjell në jetë katër vajza identike

21/07/2026 Këshilla për shtatzëna

Tragjedi nga përkeqësimi i kushteve atmosferike, vdes 61-vjeçari në Pozheran të Vitisë

21/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.