Inspektorati Qendror i Punës ka nisur një fushatë të zgjeruar të inspektimeve në të gjitha institucionet publike dhe private në mbarë vendin, me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të masave mbrojtëse ndaj temperaturave të larta.
Kjo nismë vjen në përputhje me vendimin dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për mbrojtjen e punëtorëve gjatë periudhës 11 – 15 gusht 2025, kur vendi po përballet me temperatura ekstreme, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, inspektimet janë duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe të intensifikuar, me fokus të veçantë në ambientet e punës ku punonjësit janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj vapës, siç janë ndërtimtaria, bujqësia dhe shërbimet e jashtme.
Postimi i plotë:
Inspektorati Qendror i Punës mbikëqyr zbatimin e masave mbrojtëse ndaj temperaturave të larta
Në përputhje me vendimin dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta gjatë periudhës 11 – 15 gusht 2025, Inspektorati Qendror i Punës është duke kryer inspektime të rregullta dhe të intensifikuara në të gjitha institucionet publike dhe private.
Qëllimi i këtyre inspektimeve është të sigurohet që punëdhënësit të respektojnë masat mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme, me synim ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve, sidomos atyre që punojnë në kushte të vështira dhe në ambiente të hapura.
Çdo rast i moszbatimit të këtyre masave do të trajtohet me seriozitet. Nëse gjatë inspektimeve konstatohet se nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme mbrojtëse, Inspektorati Qendror i Punës do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke ndërmarrë masat ligjore të parapara ndaj subjekteve përkatëse.
Ftojmë të gjithë punëdhënësit të bashkëpunojnë me inspektorët dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve të tyre.




