Shqetësimi publik në Itali po rritet pas një shpërthimi të helmimit ushqimor nga botulizmi, i cili deri më tani ka shkaktuar katër viktima dhe disa shtrime në spital.
Të martën, një grua 62-vjeçare në Sardenjë humbi jetën nga helmimi me toksinën botulinum, duke e çuar numrin e viktimave në katër. Ajo ishte e shtruar prej disa javësh në spitalin e Monserrato, pas konsumimit të një pjate guacamole (salcë) në restorantin Fiesta Latina.
E njëjta pjatë ishte shkaku edhe për vdekjen e një 36-vjeçareje, Roberta Pitzalis, ndërsa një vajzë 14-vjeçare ndodhet ende në spital. Dy viktima të tjera u regjistruan në Kalabri, pasi kishin konsumuar sanduiçe me sallam dhe perime të blera nga një shitës rruge, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Pse Italia ka raste të larta botulizmi?
Mes viteve 2001–2020 në Itali janë konfirmuar 452 raste botulizmi, me një shkallë vdekshmërie prej 3.1%. Në vitin 2023, Italia regjistroi 36 raste, numri më i lartë në Evropë, duke lënë pas Gjermaninë (16), Francën (15), Rumaninë dhe Spanjën (14 secila).
Një nga arsyet kryesore është tradita e konservimit të ushqimeve në shtëpi, sidomos në rajonet jugore. Nëse kjo praktikë nuk kryhet siç duhet, krijon kushte për shumimin e bakterit Clostridium botulinum, shkaktari i sëmundjes.
Simptomat dhe rëndësia e parandalimit
Sipas ekspertëve, çdo vit në Itali regjistrohen rreth 40 raste botulizmi, shpesh të lidhura me konserva të përgatitura në shtëpi. Toksina është e padukshme dhe nuk ndryshon shijen e ushqimit, gjë që e bën atë veçanërisht të rrezikshme. Antidoti është efektiv vetëm në fazat e hershme, përpara se toksina të përhapet në trup.
Simptomat shfaqen nga gjashtë orë deri në shtatë ditë pas konsumimit dhe përfshijnë: shikim të dyfishtë, zmadhim të bebëzave, rënie të qepallave, vështirësi në të folur e gëlltitje, gojë të thatë dhe kapsllëk. Në raste të rënda, mund të dëmtohet frymëmarrja dhe të nevojitet intubim.
Ekspertët theksojnë se parandalimi është thelbësor, sidomos në përgatitjen e konservave shtëpiake./Gazeta Shneta/




