Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka bërë një thirrje të fuqishme për të drejtat e fëmijëve me autizëm, duke i drejtuar një letër të hapur Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti.
Ajo shpreh shqetësimin e saj për mungesën e përkujdesjes institucionale dhe situatën alarmante që po përjetojnë familjet me fëmijë me nevoja të veçanta.
“Kosova është në një krizë të thellë politike. Që nga 9 shkurti, vendi ynë është bllokuar, dhe Kuvendi ka dështuar të zgjedhë një kryetar. Kjo situatë ka paralizuar çdo proces shtetëror, duke përfshirë edhe mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta,” shkruan ajo në letrën e saj.
Postimi i saj është një thirrje për veprim, duke e bërë të qartë se fëmijët me autizëm janë të prekur nga pasojat e kësaj krize. Ajo thekson se rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë jashtë sistemit arsimor dhe nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga institucionet.
Bajrami gjithashtu përmend projektin e Halil Kastratit për ndërtimin e një residence për fëmijët me autizëm, një iniciativë që do të sillte shpresë për shumë familje. Megjithatë, ky projekt është bllokuar për shkak të mungesës së miratimit nga institucionet.
Bajrami përfundon letrën e saj me një mesazh të fortë: nëse nuk veprohet, historia do t’i kujtojë si udhëheqësit që lanë pas dore fëmijët më të brishtë të këtij vendi. /Gazeta Shneta/





