Gjinekologu Afrim Veliu e ka lënë punën përfundimisht nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Gjinekologu i njohur Dr. Afrim Veliu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e Shefit të repartit prenatal në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, duke e lënë gjithashtu edhe punën përfundimisht në këtë institucion publik, shkruan Gazeta Shneta.
Veliu tani ka kaluar në klinikën private “Klinika Amerikane Dr. Behar Kusari” në Prishtinë.
“Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” mirëpret Dr. Afrim Veliun, specialist i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, i cili i bashkohet ekipit tonë profesional. Me mbi 30 vite përvojë të dëshmuar në kujdesin ndaj pacienteve, Dr. Veliu sjell profesionalizëm, përkushtim dhe cilësi të lartë në çdo shërbim gjinekologjik dhe obstetrik. Nga data 15.09.2025, Dr. Afrim Veliu është pjesë e spitalit tonë çdo ditë pune, duke ofruar kontrolle dhe kujdes shëndetësor të specializuar për të gjitha pacientet”, thuhet në njoftimin e klinikës.

Kujtojmë se Veliu para disa javësh ishte sulmuar nga disa persona. Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestoj katër prej tyre. Motivet e këtij sulmi ende nuk dihen. /Gazeta Shneta/




