Më shumë se dy milionë banorë janë evakuuar nga provinca Punjab në Pakistan, pasi përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur musonikë kanë përfshirë rajonin lindor të vendit.
Sipas autoriteteve, edhe 150 mijë persona të tjerë janë evakuuar në provincën Sindh, ndërsa pritet që numri të rritet në ditët në vijim.
Që nga fundi i muajit qershor, përmbytjet kanë marrë mbi 900 jetë në të gjithë Pakistanin, njofton Organizata Ndërkombëtare e Korpusit Mjekësor, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
ërveç reshjeve të rënda, që lidhen ngushtë me ndryshimet klimatike, kritikët fajësojnë edhe mungesën e investimeve shtetërore në sistemet e alarmit dhe infrastrukturën parandaluese.
Përmbytjet kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe toka bujqësore, duke rënduar situatën e familjeve, 40% e të cilave jetojnë nën kufirin e varfërisë.
Pavarësisht rrezikut, shumë banorë refuzuan të largoheshin për të mbrojtur pronat e tyre, duke e vështirësuar edhe më shumë punën e shpëtimtarëve, të cilët u detyruan të shkojnë derë më derë me varka.
Në disa raste, misionet e shpëtimit kanë rezultuar tragjike: vetëm këtë javë, në lumin Indus humbën jetën 9 persona pas përmbysjes së një varke shpëtimi.
Ndihma ndërkombëtare ka filluar të mbërrijë. Kombet e Bashkuara kanë ndarë 5 milionë dollarë për të ndihmuar Pakistanin, ndërsa SHBA ka dërguar fonde dhe personel për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Kryeministri Shehbaz Sharif ka shpallur gjendjen e emergjencës klimatike dhe ka urdhëruar hartimin e një plani 300-ditor për përballimin e krizës.




