Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Komisionit Evropian të miratojë një strategji të posaçme për të trajtuar sëmundjen e Alzheimerit dhe format e tjera të demencës, të mbështetur me financim të qartë dhe afate konkrete.
Gjatë një seance plenare në Strasburg, eurodeputetët theksuan përmasat e sfidës: rreth shtatë milionë njerëz në Evropë aktualisht jetojnë me Alzheimer, dhe pritet që ky numër të dyfishohet deri në vitin 2030, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Demenca përfaqëson “një nga sfidat më serioze të shëndetit publik”, tha Komisioneri i Buxhetit, Piotr Serafin, i cili iu bashkua ligjvënësve gjatë seancës plenare.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi është vendimtar në hulutime, diagnozë dhe trajtim: “Duke vepruar së bashku mund të arrijmë rezultate më të shpejta dhe më të mira.”
Komisioni nisi në janar 2025 nismën “Joint Action on Dementia and Health (JADE Health)”, një projekt trevjeçar i mbështetur me 4.5 milionë euro nga programi EU4Health.
Synimi i saj është të ndihmojë vendet anëtare të përmirësojnë parandalimin dhe zbulimin e hershëm, si dhe të ofrojnë edukim dhe mbështetje për familjarët, profesionistët e kujdesit dhe hisedarët të tjerë.
Eurodeputetët theksuan ndikimin e shumëanshëm të demencës – jo vetëm tek pacientët, por edhe tek familjarët dhe sistemet shëndetësore. Ata kërkuan një strategji gjithëpërfshirëse me financim të qëndrueshëm, investime në kërkime dhe masa më të forta parandalimi.
Sipas një studimi të “Lancet”, personat me demencë marrin mesatarisht nga një deri në pesë orë kujdes joformal në ditë, zakonisht nga anëtarët e familjes. Ky lloj kujdesi përbën pjesën më të madhe të kostove të lidhura me demencën – midis 50% dhe 90% të totalit.
Në përgjithësi, kostoja vjetore e demencës vlerësohet nga 2,687 deri në 15,468 euro për person, duke filluar nga 162.9 milionë euro në Estoni deri në 32.6 miliardë euro në Gjermani.
“Nuk duhet të harrojmë kurrë pacientët dhe familjet e tyre, të cilët duhet të jenë shtylla e veprimeve tona. Shumë shpesh, kujdestarët dhe familjarët mbeten vetëm, dhe burimet e tyre emocionale e financiare shterojnë,” tha Margarita de la Pisa Carrión. /Gazeta Shneta/




