Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës para disa ditësh e ka anuluar një tender për furnizim me implante me vlerë 40 mijë euro, me arsyetimin për mungesë të ofertave të përgjegjshme. Më pas e ka rishpallur këtë tender veçse kësaj radhe me vlerë 80 mijë Euro për shkak të rritjes së numrit të sasisë së implanteve.
QKSUK më datën 8 shtator të këtij viti e anuloi tenderin me titull “Furnizim me implante” me vlerë 40 mijë Euro. “As nje nga Opertat e pranuara nuk është e pergjegjshme me kerkesat e percaktuera ne DT”, thuhet në vendimin e Zyrës së Prokurimit, shkruan Gazeta Shneta.
Nga kjo zyrë i kanë thënë Gazetës se ofertat në tenderin e parë nuk i kanë plotësuar kriteret.
“Tenderi i parë me vlerë 40,000 Euro u anulua pasi nuk ishin paraqitur oferta të cilat I plotesojne kriteret e percaktuera ne Dosjen e Tenderit”, ka thënë Vehbi Morina.
E vetëm dy ditë më vonë, më 11 shtator, QKSUK e rishpallir tenderin e njëjtë por kësaj radhe me vlerë të dyfishtë, 80 mijë euro.
Morina ka thënë se vlera është rritur pasi është dyfishuar edhe sasia e implanteve nga njësia kërkuese.
“Tenderi i dytë (Ri – Tenderim) është publikuar me vlerë 80,000 Euro dhe përfshin një sasi të rritur implantesh: nga 260 implante në tenderin e parë, tani janë planifikuar 500 implante”, ka thënë Morina.
Ai ka deklaruar se specifikat nuk kanë ndryshuar. “Specifikat e implanteve nuk kanë ndryshuar, ndryshimi lidhet vetëm me rritjen e sasisë nga njesia kerkuese dhe kjo rritje është e mundur për shkak të rritjes së buxhetit nga SHSKUK në kategorinë Mallera dhe Sherbime për 150,000 Euro, për të siguruar furnizime të mjaftueshme per nevojat e QKSUK-së”, ka deklaruar Morina.
Gjithashtu në këtë tender është shkrutuar edhe afati kohor për dorëzimin e ofertave në vetëm 10 ditë. Në dosjen e tenderit shkurtimi i kohës është arsyetuar se mungesën e implanteve.
“Arsyet që na shtyjnë në kërkim të shkurtimit të afatit kohor për tenderin ‘Furnizim me implante’ janë emergjencat e krijuara për shkakë të mungesës se Implanteve ne QKSUK. Deri tek mungesat e krijuera kemi ardhur si pasojë anulimit te procedurës se prokurimit pasi qe nuk kemi pranuar as një Ofertë te përgjegjshme nga Operatoret Ekonomik pjesëmarrës ne kete tender andaj bazuar ne këto arsyeje kërkohet qe te behet shkurtimi i afatit nga 20 ne 10 ditë (sipas Neni 46, i Ligjit Nr. 04 L-042 për Prokurimin Publik).”, thuhet në dosje. /Gazeta Shneta/




