Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka akuzuar kompanitë e duhanit, alkoolit dhe ushqimeve ultra të përpunuara për “lobim të fortë”, me qëllim bllokimin ose vonimin e politikave që synojnë mbrojtjen e shëndetit publik.
Në një deklaratë të enjten, OBSH tha se këto industri të fuqishme përpiqen rregullisht të pengojnë rritjen e taksave, kufizimin e marketingut që synon të rinjtë dhe zbatimin e reformave të tjera të rëndësishme për jetën, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
“Është e papranueshme që interesat tregtare të përfitojnë nga rritja e vdekjeve dhe sëmundjeve,” tha Dr. Etienne Krug, drejtor i departamentit për faktorët përcaktues të shëndetit, promovim dhe parandalim pranë OBSH-së.
Ai shtoi se qeveritë duhet të vënë qytetarët mbi fitimet dhe të mos lejojnë që presioni korporativ të sabotojë politikat e bazuara në prova shkencore.
Këto deklarata vijnë pak ditë para një takimi të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që do të fokusohet tek sëmundjet kronike si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe astma.
Ndërkohë që vdekjet nga këto sëmundje kanë rënë globalisht, progresi ka ngecur vitet e fundit.
OBSH ka kërkuar më parë që qeveritë të rrisin me të paktën 50% çmimet e duhanit, alkoolit dhe pijeve të ëmbëlsuara gjatë dekadës së ardhshme.
Sipas organizatës, një masë e tillë mund të parandalojë 50 milion vdekje të parakohshme në 50 vitet e ardhshme dhe të gjenerojë mbi 1 trilion dollarë fonde publike në dekadën që vjen.
Megjithatë, grupet e industrisë e kanë kundërshtuar këtë qasje, duke pretenduar se taksat nuk mjaftojnë për të ulur obezitetin dhe problemet shëndetësore, sidomos në vendet ku ato tashmë janë zbatuar. /Gazeta Shneta/




