Në 80-vjetorin e krijimit të Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit botërorë dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare u mblodhën për të reflektuar mbi rolin dhe sfidat e këtij institucioni.
Që nga themelimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore, OKB-ja ka qenë arenë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke ofruar një platformë ku shtetet, të mëdha e të vogla, gjejnë hapësirë për dialog, diplomaci dhe veprim të përbashkët.
Në këtë moment historik, mes krizave të shumta globale, fjala e Sekretarit të Përgjithshëm dhe e Presidentes së Asamblesë së Përgjithshme theksuan domosdoshmërinë e forcimit të multilateralizmit.
“Ekziston ende një mit se paqja është naive dhe drejtësia sentimentale, ndërsa politika e ‘vërtetë’ shihet vetëm si pushtet dhe interes vetjak. Por themeluesit e OKB-së e dinin, nga përvoja e luftës, se paqja është zgjedhja më guximtare dhe më e nevojshme. Sot parimet e saj janë nën sulm si kurrë më parë: ligji ndërkombëtar po shkelet në Gaza, Ukrainë e Sudan; varfëria e uria po rriten; klima po shpërthen me pasoja katastrofike. Për këtë arsye nuk mjafton të mbrojmë OKB-në, por duhet ta forcojmë atë, përmes Axhendës 2030 dhe Paktit për të Ardhmen”, tha António Guterres.
Në të njëjtën frymë, Annalena Baerbock kujtoi se ky institucion është mbi të gjitha historia e njerëzve që zgjedhin paqen përballë luftës. “Tema e këtij sesioni është ‘Më mirë së bashku’. Nuk është një moto, por një e vërtetë e fituar me sakrifica. Ne ia kemi borxh brezave të sotëm dhe të ardhshëm të veprojmë me vendosmëri dhe guxim, edhe kur rruga e dialogut është më e vështira.”




