Një tjetër rast tronditës në industrinë farmaceutike indiane ka ngritur alarmin për sigurinë e barnave për fëmijë.
Autoritetet në Indi po hetojnë nëse një shurup kollë i kontaminuar ka shkaktuar vdekjen e nëntë fëmijëve në shtetin Madhya Pradesh, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Indisë, mostra të “Coldrif Cough Syrup”, të prodhuara nga kompania Sresan Pharma në Tamil Nadu, kanë rezultuar se përmbajnë sasi të larta të diethylene glycol (DEG) — një tretës toksik që përdoret në produkte industriale dhe që mund të shkaktojë helmim fatal.
“Mostrat janë gjetur me përmbajtje të DEG përtej kufijve të lejuar,” thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë.
Regullatori i barnave në Tamil Nadu ka konfirmuar kontaminimin pas testimeve të bëra në fabrikën e kompanisë Sresan Pharma në qytetin Kanchipuram.
Ndërkohë, autoritetet e Madhya Pradesh kanë analizuar 13 mostra të tjera, ku tre prej tyre nuk kanë rezultuar të ndotura.
Ministria ka njoftuar se ka nisur inspektime të menjëhershme në 19 kompani farmaceutike në gjashtë shtete për të kontrolluar cilësinë e prodhimit dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Kompania Sresan Pharma deri tani nuk ka dhënë asnjë koment për akuzat.
Po ashtu, nuk raportohet për asnjë arrestim, por hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ndotja e shurupit ka qenë shkaku direkt i vdekjeve të fëmijëve./Gazeta Shneta/




