Një raport i ri i publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”, paralajmëron se mbi 54,600 fëmijë në Rripin e Gazës vuajnë nga kequshqyerja akute, ndërsa më shumë se 12,800 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë që rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe zhvillimin e tyre afatgjatë.
Studimi i financuar nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), tregon se për periudhën janar 2024 – gusht 2025, rastet e kequshqyerjes u rritën ndjeshëm gjatë kohës kur Izraeli vendosi kufizime të rrepta ndaj ndihmës humanitare, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Vetëm gjatë verës së këtij viti, 15.8% e fëmijëve nën 5 vjeç në Gaza ishin të kequshqyer, ndërsa në qytetin e Gazës shifra arriti në gati 29%.
Ekspertët shpjegojnë se kequshqyerja nuk është vetëm mungesë ushqimi, por një gjendje që dëmton funksionet bazë të trupit, ul imunitetin dhe mund të jetë fatale.
Trajtimi kërkon suplemente të posaçme ushqyese, të cilat mungojnë për shkak të bllokadës dhe shkatërrimit të sistemit shëndetësor.
Sipas të dhënave të OKB-së, që nga janari 2025 rreth 400 persona kanë vdekur nga uria dhe pasojat e saj, përfshirë mbi 100 fëmijë.
Vetëm dy muajt e fundit, mbi 10,000 fëmijë janë diagnostikuar me kequshqyerje akute, dhe 2,400 prej tyre rrezikojnë vdekjen nga uria.
UNRWA thekson se pa një armëpushim të qëndrueshëm dhe hapje të korridoreve humanitare, gjendja e fëmijëve do të përkeqësohet edhe më tej.
“Pas dy vitesh lufte dhe kufizimesh të ashpra, fëmijët e vegjël të Gazës po përballen me rreziqe të parandalueshme, që kërcënojnë jetën e tyre,” paralajmëron Dr. Masako Horino, autore kryesore e studimit. /Gazeta Shneta/




