Pavarësisht uljeve të mëparshme, norma e vetëvrasjeve në Lituani mbetet ndër më të lartat në Bashkimin Evropian, duke u rritur sërish gjatë dy viteve të fundit, sipas të dhënave të Eurostat-it dhe Institutit Lituanez të Higjienës.
Aktualisht, shkalla e vetëvrasjeve në këtë vend arrin në 19.6 për 100 mijë banorë, gati dyfish më e lartë se mesatarja e BE-së, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Më të prekurit janë personat mbi moshën 65 vjeç, për të cilët ekspertët theksojnë se vetmia, humbja e të afërmve, vështirësitë ekonomike dhe problemet shëndetësore janë ndër arsyet kryesore të rritjes së rasteve.
Sipas Paulius Skruibis, drejtor i Qendrës për Kërkime Suicidologjike në Universitetin e Vilniusit, pavarësisht se në dekadat e fundit numri i vetëvrasjeve është ulur në shumicën e grupmoshave, tek të moshuarit rënia ka qenë më e ngadaltë.
Lituania përballet edhe me një nivel të lartë varfërie ekstreme, me rreth 170 mijë qytetarë që jetojnë nën kufirin e varfërisë, gjë që, sipas ekspertëve, ndikon drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe rrit rrezikun e vetëvrasjeve.
Për të përmirësuar situatën, qeveria lituaneze ka filluar të zgjerojë shërbimet e kujdesit të shëndetit mendor, duke përfshirë mbështetje nga punonjës socialë dhe linja ndihmëse për qytetarët që përballen me kriza emocionale.




