Gjatë ditëve në vijim, vendi ynë do të përballet me ndryshime të dukshme të kushteve meteorologjike, duke filluar me reshje shiu dhe rënie temperaturash, e më pas me përmirësim gradual të motit.
Të premten parashikohet mot kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu, të cilat pritet të nisin në pjesë të ndryshme të vendit që nga orët e para të mëngjesit. Temperaturat minimale do të zbresin në 8–10°C, ndërsa ato maksimale do të mbeten më të ulëta, duke u luhatur ndërmjet 12°C dhe 15°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga juglindja me shpejtësi 5–10 m/s.
Të shtunën, reshjet e shiut do të vazhdojnë kohë pas kohe gjatë ditës, por në mbrëmje pritet të pushojnë gradualisht.
Të dielën, megjithëse moti do të jetë kryesisht me vranësira, herë pas here do të ketë edhe intervale me diell. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 12°C, ndërsa ato minimale do të zbresin deri në 5°C.
E hëna do të fillojë me mot më të ftohtë; temperaturat minimale do të jenë rreth 0°C. Gjatë ditës do të mbretërojë mot kryesisht me diell, me temperatura maksimale deri në 14°C.
Të martën pritet kalimi i disa vranësirave, ndërsa temperaturat do të jenë në rritje, duke arritur maksimalisht 16–18°C. Nga e shtuna e tutje do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja me shpejtësi 4–10 m/s.




