Trajnim në Kirurgjinë Gastrointestinale dhe Kolorektale Onkologjike Laparoskopike
Dr. Ali Devaja, kirurg i përgjithshëm dhe abdominal nga Kosova (QKUK), është duke zhvilluar një trajnim njëmujor të avancuar në spitalin “Prof. Dr. Cemal Taşçıoğlu Research and Education Hospital” në Stamboll, me fokus në kirurgjinë gastrointestinale dhe kolorektale onkologjike laparoskopike.
Trajnimi po realizohet nën mentorimin e kirurgëve dhe profesorëve të njohur të Turqisë:
Prof. Dr. Cemal Ulusoy
Prof. Dr. Hakan Güven
Prof. Dr. Ali Alemdar
Dr. Fazıl Sağlam
si dhe ekipeve të tjera të specializuara të spitalit.
Gjatë këtij programi, Dr. Devaja po aftësohet në teknikat më të avancuara të kirurgjisë minimale invazive, përfshirë:
Gastrektomitë onkologjike
Rezeksionet kolorektale (LAR, ULAR, AR)
Diseksionet limfatike D2/D3 dhe stadifikimin onkologjik
Qëllimi i këtij trajnimi është që këto teknika moderne të aplikohen në Kosovë, duke përmirësuar shërbimet kirurgjikale për pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Jam mirënjohës për këtë mundësi të jashtëzakonshme profesionale dhe akademike. Njohuritë dhe përvojat që po përvetësoj këtu do t’i vë në shërbim të pacientëve në Kosovë,” thekson Dr. Ali Devaja.
Dr. Devaja dhe ekipi i këtij institucioni prestigjioz janë dakorduar që në të ardhmen ekspertë nga ky spital të vizitojnë QKUK-un, me synim thellimin e bashkëpunimit, shkëmbimin profesional dhe avancimin e kirurgjisë moderne në vendin tonë.




