Rastet e reja dhe vdekjet nga tuberkulozi (TB) ranë në vitin 2024 për herë të parë që nga pandemia e COVID-19, sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
Sipas burimit Euronews Health, numri i rasteve të reja u ul me rreth 2%, ndërsa vdekjet ranë me 3%, pasi testimet dhe trajtimet u rikthyen në nivelet para pandemisë transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, tuberkulozi – një sëmundje bakteriale që sulmon mushkëritë dhe përhapet përmes ajrit – mbetet ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.
Sipas OBSh-së, 10.7 milionë persona u prekën nga TB dhe 1.23 milionë vdiqën në vitin 2024, krahasuar me 10.8 milionë raste dhe 1.25 milionë vdekje në vitin 2023.
“Progresi është i mirëpritur pas viteve të vështira, por nuk është fitore,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Fakti që TB ende vret mbi një milion njerëz çdo vit, pavarësisht se është e parandalueshme dhe e shërueshme, është i papranueshëm,” shtoi ai.
Vlerësohet se një e katërta e popullsisë botërore është e infektuar me bakterin e TB-së, ndonëse shumica nuk shfaqin simptoma.
Sëmundja është e lidhur ngushtë me varfërinë dhe përhapet lehtësisht në ambiente të mbipopulluara, duke ndikuar më shumë tek personat me imunitet të dobët ose të kequshqyer.
Dy të tretat e rasteve të reja u regjistruan në tetë vende: India, Indonezia, Filipinet, Kina, Pakistani, Nigeria, Republika Demokratike e Kongos dhe Bangladeshi.
OBSh paralajmëron se shkurtimet e fondeve ndërkombëtare për shëndetësi mund të zhbëjnë këtë progres, duke shkaktuar deri në 2 milionë vdekje shtesë dhe 10 milionë raste të reja gjatë dekadës së ardhshme. /Gazeta Shneta/




