Bashkimi Evropian ka prezantuar “Safe Hearts Plan”, një strategji të re për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular dhe për të ulur vdekjet e parakohshme nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut me 25 për qind brenda një dekade.
Sëmundjet kardiovaskulare (CVD) janë shkaku kryesor i vdekjes dhe paaftësisë në BE, duke shkaktuar rreth 1.7 milionë vdekje çdo vit dhe duke prekur 62 milionë njerëz, sipas të dhënave të Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Parashikimet tregojnë se përqindja e këtyre sëmundjeve mund të rritet deri në 90% dhe vdekjet deri në 73% deri në vitin 2050.
Strategjia e re përqendrohet në parandalimin, duke nxitur kontrollin e presionit të gjakut, kolesterolit dhe sheqerit tek të rriturit mbi 25 vjeç, si dhe duke trajtuar faktorët kryesorë të rrezikut, përfshirë treguesit e stilit të jetesës, duhanin dhe ushqimin e pashëndetshëm.
Një nga objektivat kryesore është ulja e përdorimit të duhanit, me qëllimin që më pak se 5% e të rriturve të jenë përdorues deri në vitin 2040.
Po ashtu, planifikohen reforma për ushqimet e shëndetshme në institucionet publike dhe informim më i mirë mbi ushqimet ultra‑tërpunuara.
Megjithatë, grupet e konsumatorëve kritikojnë mungesën e afateve konkrete dhe masave ligjore për ushqime të pashëndetshme, duke kërkuar më shumë veprime për të mbrojtur konsumatorët dhe për të lehtësuar zgjedhjet e shëndetshme.
Përveç parandalimit të stilit të jetesës, plani synon të rrisë vaksinimin kundër infeksioneve respiratore, si gripi, COVID-19 dhe pneumokoku, të cilat mund të përkeqësojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe të shkaktojnë sulme në zemër apo goditje në tru.
Komisioneri për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, thekson se plani është një hap i domosdoshëm për të parandaluar humbjen e jetëve dhe për të garantuar që brezat e ardhshëm të kenë mundësi të jetojnë një jetë të plotë.




