Në një kohë kur rastet e abuzimit me barna dhe substanca narkotike janë në rritje, QKUK ka vënë në funksion Laboratorin e Toksikologjisë, shërbim që deri tani ka munguar në mënyrë të qëndrueshme në sektorin publik.
Laboratori i Toksikologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ofron shërbime diagnostikuese për rastet toksikologjike të pacientëve të shtrirë në këtë institucion.
Aktualisht, në këtë laborator janë të angazhuar katër specialistë të toksikologjisë.
Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” Dardane Mehaj, shefe e Sektorit të Furnizimit me Barna dhe Material Harxhues-Medicinal në QKUK.
“Në Laboratorin/Shërbimin e Toksikologjisë në QKUK aktualisht janë të angazhuar 4 specialistë të Toksikologjisë, të cilët mbulojnë në mënyrë profesionale shërbimet diagnostikuese toksikologjike” thuhet në përgjigje.
Dardane Mehaj, shefe e Sektorit të Furnizimit me Barna dhe Material Harxhues-Medicinal në QKUK ka bërë të ditur për “Front Online” se që nga fillimi i funksionalizimit, Laboratori i Toksikologjisë ka realizuar mbi 100 analiza toksikologjike.
Ajo ka sqaruar se kërkesat për analiza kanë ardhur kryesisht nga klinikat e QKUK-së.
“Që nga fillimi i funksionalizimit, Laboratori i Toksikologjisë ka realizuar mbi 100 analiza toksikologjike. Kërkesat kanë ardhur kryesisht nga klinikat e QKUK-së, me theks të veçantë nga Psikiatria Forenzike, Emergjenca dhe Kujdesi Intensiv, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të referuara”, ka thënë ajo.
Mehaj ka treguar në detaje se cfarë analiza realizohen në Laboratorin e Toksikologjisë.
“Në këtë laborator kryhen analiza për zbulimin dhe monitorimin e drogave abuzive, barnave që keqpërdoren, si dhe analiza për monitorimin terapeutik të barnave dhe vlerësimin toksikologjik të pacientëve”, tha ajo.
Sipas Mehaj, aktualisht në këtë laborator përcaktohen parametra të shumtë toksikologjikë.
Aktualisht, në Laboratorin e Toksikologjisë përcaktohen këta parametra: Gentamicin, Carbamazepine, Phenobarbital (PHBR), Alkool, Salicilatet, Litium, Cholinesteraza, Paracetamol, Barbiturates, Benzodiazepines, Amphetamines, mAMP (Methamphetamines), Methadone, EDDP (Methadone Metabolite), Phencyclidine (PCP), Tetrahydrocannabinol (THC), Cocaine Metabolite, OPI (Opiates) dhe TCA (Tricyclic Antidepressants)”, thuhet në përgjigjen e Mehajt.
Mehaj ka theksuar se analizat toksikologjike kryhen pa pagesë për pacientët që janë të shtrirë dhe trajtohen në klinikat e QKUK-së.
“Analizat toksikologjike kryhen pa pagesë për pacientët që janë të shtrirë dhe të trajtuar në klinikat e QKUK-së, në kuadër të shërbimeve të sistemit publik shëndetësor”, njoftoi ajo.
Sipas saj, funksionalizimi i këtij laboratori ka ndihmuar ndjeshëm në përmirësimin e menaxhimit të rasteve toksikologjike.
“Duhet theksuar se funksionalizimi i këtij laboratori ka rritur ndjeshëm kapacitetet diagnostikuese të QKUK-së, ka përmirësuar menaxhimin e rasteve toksikologjike dhe ka ndihmuar klinikat në vendimmarrjen terapeutike të shpejtë dhe të bazuar në të dhëna laboratorike”, ka treguar ajo për “Front Online”.




