Sezoni i gripit ka nisur më herët këtë vit në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa rastet e infektimit po shënojnë rritje në shumicën e shteteve, bëjnë të ditur të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Sipas ECDC-së, gjatë vitit 2025, rastet e gripit në BE janë rritur tre deri në katër javë më herët krahasuar me dy sezonet e mëparshme.
Sezoni i gripit në Evropë zakonisht zgjat nga mesi i nëntorit deri në fund të majit, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Virusi dominues mbetet Influenza A, ndërsa aktiviteti i gripit raportohet i përhapur në të gjitha vendet e BE-së, kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar.
Fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç janë grupi më i prekur nga infektimi, ndërsa personat mbi 65 vjeç po shënojnë normën më të lartë të shtrimeve në spital.
Simptomat më të shpeshta përfshijnë dhimbje koke, lodhje, kollë dhe rrjedhje hundësh. Çdo dimër, deri në një në pesë evropianë infektohen me grip, i cili lidhet me rreth 27 mijë vdekje në vit në nivel të BE-së.
Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë vaksinimin sezonal, përdorimin e antiviralëve dhe mbajtjen e maskave në institucionet shëndetësore dhe të kujdesit afatgjatë.
Të dhënat paraprake tregojnë se vaksinat sezonale në BE po ofrojnë mbrojtje nga infeksioni me Influenza A (H3N2), me efikasitet që varion nga 52% deri në 57%.
Irlanda, Franca, Belgjika dhe Portugalia raportojnë rritje të rasteve të gripit, por edhe rritje të ndjeshme të vaksinimit, veçanërisht te grupmoshat e rrezikuara.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se kulmi i gripit ende nuk është arritur në disa shtete dhe bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë javëve në vijim./Gazeta Shneta/




