Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se mëngjesin e së dielës, më 25 janar 2026, pritet të përfshijë territorin e kryeqytetit erëra me intensitet mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe kodrinoro-malore.
Sipas parashikimeve, shpejtësia e erës në zonat kodrinoro-malore do të arrijë 11–14 m/s, ndërsa në zonat më të ulëta 8–11 m/s. Fenomeni pritet të dobësohet nga mëngjesi i së hënës, më 26 janar 2026, përcjell Gazeta Shneta.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të ndërmarrin masat e thjeshta të sigurimit, duke larguar objektet e lehta në ballkone, oborre ose çati, si vazo, reklama apo panele të përkohshme, duke treguar kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore dhe duke shmangur qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, duhet të lëvizin me kujdes të shtuar, ndërsa çdo rrezik potencial, si degë të rëna apo objekte të lëvizshme, duhet të raportohet te shërbimet kompetente.
Qytetarët mund të kontaktojnë numrat e emergjencës 0800 122 44 ose 0800 122 33. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri.
Qytetarët këshillohen të qëndrojnë të informuar dhe të tregojnë kujdes gjatë ditës së diel. /Gazeta Shneta/




