Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, ka theksuar se trajtimi i kancerit në Kosovë ka arritur përparime të rëndësishme, duke ofruar më shumë shpresë dhe zgjatje të jetës për pacientët.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Kurtishi theksoi se shkenca ka avancuar dukshëm me futjen në përdorim të imunoterapisë, terapive gjenetike, biologjike dhe terapive të synuara, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht qasjen ndaj trajtimit të kancerit.
“Me këto terapi moderne ka pasur benefite të mëdha, veçanërisht në rritjen e jetëgjatësisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve”, tha ai.
Kurtishi nënvizoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, duke theksuar se fushatat e vetëdijesimit, sidomos për kancerin e gjirit, kanë dhënë rezultate konkrete në Kosovë.
Sipas tij, një numër gjithnjë e më i madh i rasteve po zbulohen në fazat e hershme, kur trajtimi është më efektiv dhe shanset për shërim janë më të mëdha.
Sa i përket furnizimit me barna, drejtori i Klinikës së Onkologjisë bëri me dije se për këtë vit synohet një furnizim më i qëndrueshëm, pavarësisht sfidave financiare që lidhen me koston e lartë të terapive bashkëkohore.
Duke folur për të ardhmen, Kurtishi u shpreh optimist për rolin e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e vaksinave kundër kancerit, të cilat pritet të kontribuojnë ndjeshëm në përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.




