Më 26 janar të 2024-ës, Qeveria e Kosovës pati miratuar Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.
Deri tani ky shërbim për qytetarët e Kosovës është kryer vetëm në klinika private dhe jashtë vendit, procedura këto që kanë qenë të kushtueshme në aspektin financiar.
Fertilizimi i asistuar mjekësor është frytnimi i asistuar mjekësor, me ç’rast përdoren qelizat riprodhuese personale të të dy bashkëshortëve.
1 mijë e 601 çifte janë konsultuar lidhur me këtë ndërhyrje, kështu ka bërë të ditur për “Front Online” shefi i repartit të IVF-së në Klinikën e Gjinekologjisë, Leandrit Bejtullahu.
“Deri tani janë realizuar ë konsulta dhe 949 rikonsulta. Të gjitha fazat e trajtimit realizohen në repart”, tha ai.
Bejtullahu tha se reparti i IVF-së është i funksionalizuar.
“Reparti është plotësisht i funksionalizuar për shërbimin e IVF-së. Interesimi i qytetarëve shihet te numri i konsultave”, ka thënë Bejtullahu.
Në Repartin e IVF-së janë realizuar dy procedura të embrio-transferit, ndërsa për shtatë paciente të tjera është bërë ngrirja e embrioneve për transferim në një fazë të mëvonshme.
Kështu bëri të ditur për “Front Online” shefi i repartit të IVF-së, Leandrit Bejtullahu.
“Te dy paciente është kryer embrio-transferi, kurse janë ngrirë embrionet te 7 paciente për t’u transferuar më vonë, sipas kritereve që aplikohen në këto procedura”,deklaroi ai.
Shefi i Repartit të IVF-së, Leandrit Bejtullahu, tha për “Front Online” se aktualisht në këtë njësi janë të angazhuar katër mjekë dhe dy embriologë, të cilët mbulojnë të gjitha fazat e trajtimit të fertilizimit të asistuar.
Ai ka theksuar se numri i embrio-transfereve të realizuara deri më tani është ende shumë i vogël për të folur për shkallën e suksesit.
Sipas shefit të repartit, aktualisht nuk ka konfirmim për shtatzëni.
“Janë të angazhuar 4 mjekë dhe 2 embriologë. Numri i transfereve është shumë i vogël për të folur për shkallën e suksesit, por në të gjitha rastet janë fituar oocite, kështu që kjo tregon që stimulimi dhe OPU janë realizuar sipas standardeve. Nuk kemi konfirmim për shtatzëni te rastet ku është kryer transferi. Dy procedurat e para janë falas”, ka thënë ai për “Front Online”.




