Në kuadër të Repartit të Neurologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, është në funksion aparatura e EEG-së, përmes së cilës kryhet një procedurë mjekësore jo-invazive dhe plotësisht e padhimbshme për regjistrimin e aktivitetit elektrik të trurit.
Kjo aparaturë u mundëson mjekëve neurologë të identifikojnë çrregullime të ndryshme neurologjike, ndërsa stafi i infermierëve luan rol kyç duke vendosur sensorët e vegjël (elektrodat) në kokën e pacientit për realizimin e ekzaminimit.
Sipas të dhënave të këtij reparti, gjatë vitit 2025 gjithsej 259 pacientë i janë nënshtruar këtij ekzaminimi për diagnostikimin e sëmundjeve të mundshme neurologjike.
Ndër problemet shëndetësore që mund të diagnostikohen me EEG përfshihen epilepsia dhe krizat konvulsive, lëndimet e kokës, inflamacionet e trurit, çrregullimet e kujtesës, gjendjet e konfuzionit si dhe sëmundje të tjera neurologjike.
Me funksionalizimin e kësaj aparature, pacientët nga Mitrovica dhe rajoni përreth nuk kanë më nevojë të udhëtojnë drejt QKUK-së për këtë shërbim, pasi ekzaminimi tashmë ofrohet edhe në këtë spital./Gazeta Shneta




