Major Vjollca Hoti nga Policia e Kosovës ka përfunduar trajnimin prestigjioz në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës këtë të enjte.
Sipas Polciisë, Akademia e FBI-së njihet si një nga programet më të avancuara për zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit, ku përfshihen tema si lidershipi, menaxhimi strategjik, teknikat bashkëkohore hetimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në luftimin e krimit.
Tutje, Hoti thuhet se ka mbi 25 vjet përvojë në Policinë e Kosovës, duke shërbyer në pozita të rëndësishme operacionale dhe duke udhëhequr njësi dhe struktura policore në mjedise sfiduese.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Departamentit të Drejtësisë, Programit Ndërkombëtar për Trajnim dhe Asistencë në Hetimet Penale (DOJ-ICITAP) dhe zyrës së FBI-së në Sofje, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e standardeve të policimit.
“Kjo arritje njëkohësisht reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për zhvillim profesional dhe për fuqizimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.




