Në Ditën Botërore të Tuberkulozit, e cila shënohet çdo 24 mars, Spitali i Përgjithshëm Prim. Dr. Daut Mustafa ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar gjithsej 66 raste me tuberkuloz.
Sipas të dhënave, 62 prej tyre janë raste të reja, ndërsa 4 raste janë rikthime të sëmundjes. Nga numri total, 41 raste i përkasin tuberkulozit pulmonar dhe 25 raste formave ekstrapulmonare.
Nga Spitali i Prizrenit bëjnë të ditur se të gjithë pacientët me tuberkuloz pulmonar janë testuar me analizën BK, ku 26 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.
Ndërkohë, gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga kjo sëmundje, ndërsa 39 pacientë kanë përfunduar me sukses trajtimin.
Në këtë institucion, trajtimi i tuberkulozit realizohet në repartin e Pulmologjisë, ku pacientët përfitojnë shërbime të avancuara diagnostike dhe terapeutike.
Ndër shërbimet kryesore përfshihen: analiza e këlbazës (BK), testi i lëkurës PPD për identifikimin e infeksionit latent, bronkoskopia për diagnostikim të avancuar, si dhe punkcioni pleural për rastet e dyshuara të tuberkulozit të pleurës.
Gjatë vitit 2025 janë realizuar 466 analiza BK, 261 teste PPD dhe 116 punkcione pleurale. Po ashtu, të gjithë pacientët janë testuar edhe për HIV.
Nga spitali bëhet e ditur se trajtimi me barna antituberkulare ofrohet falas për të gjithë pacientët, ndërsa rastet pozitive pranohen për trajtim të mëtejshëm në repart.
Sa i përket shpërndarjes sipas komunave, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prizren me 31 raste, pasuar nga Malishevë me 17 raste, Suharekë me 13 raste, Rahovec me 4 raste dhe Mamusha me 1 rast, ndërsa në Dragash nuk është raportuar asnjë rast./Gazeta Shneta/




