Shkatërrimi mjedisor i shkaktuar nga lufta në Iran mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata për shëndetin e popullsisë, paralajmërojnë ekspertët ndërkombëtarë.
Sulmet ndaj fushave të gazit, depozitave të naftës, objekteve bërthamore dhe impianteve të desalinizimit kanë çliruar në mjedis një sërë ndotësish toksikë, duke përfshirë kimikate të rrezikshme, metale të rënda dhe grimca të dëmshme në ajër, tokë dhe ujë.
Sipas ekspertëve të United Nations University Institute for Water, Environment and Health, djegia e infrastrukturës së naftës dhe gazit, si dhe dëmtimi i anijeve dhe cisternave në Gjiri Persik, po kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen e mjedisit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Organizata Conflict and Environment Observatory ka regjistruar mbi 400 incidente që lidhen me rrezik mjedisor si pasojë e luftës, megjithëse vlerësimi i plotë mbetet i vështirë për shkak të mungesës së të dhënave dhe kufizimeve në qasjen në informacion.
Ekspertët paralajmërojnë se ndotja e ajrit mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundje të mushkërive dhe të zemrës, ndërsa ekspozimi ndaj kimikateve toksike mund të rrisë rrezikun për kancer në afat të gjatë. Po ashtu, ndotja e tokës dhe ujit mund të ndikojë në bujqësi dhe furnizimin me ujë të pijshëm.
Një shqetësim i veçantë mbetet dëmtimi i impianteve të desalinizimit, të cilat janë burim kyç i ujit të pijshëm për vendet e rajonit. Çdo ndërprerje e funksionimit të tyre mund të ketë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për popullsinë.
Sipas ekspertëve, pas përfundimit të konfliktit, adresimi i dëmeve mjedisore mund të zgjasë me dekada, ndërsa prioritetet fillestare pritet të jenë rindërtimi i infrastrukturës bazë dhe sigurimi i energjisë dhe ujit.
Ndërkohë, qytetarët në zonat e prekura vazhdojnë të ekspozohen ndaj pluhurit dhe substancave të rrezikshme, duke rritur rrezikun për pasoja të vazhdueshme në shëndetin publik.




