Kryetarja e Oda e Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, përmes një videomesazhi drejtuar anëtarëve ka njoftuar për një nismë të re që synon forcimin e mbrojtjes profesionale dhe juridike të tyre.
Sipas saj, Oda ka angazhuar një avokat, i cili do të ofrojë shërbime juridike për anëtarët, ndërsa kostot do të mbulohen nga Oda.
“Oda ka marrë një hap të rëndësishëm në fuqizimin e mbrojtjes suaj profesionale dhe juridike përmes angazhimit të një avokati eminent. Këto shërbime për anëtarët do të ofrohen pa kosto për ta, pasi do të mbulohen plotësisht nga Oda”, është shprehur Gori.
Ajo ka bërë të ditur se shërbimet juridike do të përfshijnë hartimin e padive dhe përfaqësimin në gjykatë, mbrojtjen profesionale në rastet kur cenohet nderi, dinjiteti dhe integriteti profesional, si dhe mbrojtje ligjore në çështje që burojnë nga marrëdhënia e punës.
Po ashtu, në kuadër të kësaj mbështetjeje përfshihen edhe procedurat që lidhen me realizimin e të drejtës për pension dhe mbrojtja ligjore në rastet e kontesteve që kanë të bëjnë me konkurset.
Për më shumë ndiqeni VIDEON



