Një studim i ri paraklinik i kryer tek minjtë ka ngritur pyetje të rëndësishme mbi rolin e serotoninës në tinitus – një gjendje ku individi dëgjon vazhdimisht zhurma si fishkëllimë apo gumëzhimë në një ose të dy veshët. Studiuesit zbuluan se nivelet e larta të serotoninës mund të përkeqësojnë simptomat, duke ndikuar në mënyrën se si truri përpunon tingujt.
Tinitusi prek rreth 14% të të rriturve në mbarë botën dhe mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës, duke shkaktuar ose përkeqësuar ankthin dhe depresionin. Për më tepër, kjo gjendje shpesh shoqërohet edhe me çrregullime të përqendrimit, si në rastin e ADHD-së, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, i realizuar nga studiues në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, u fokusua në mënyrën se si serotonina – një neurotransmetues i rëndësishëm për rregullimin e humorit ndikon në aktivitetin e trurit.
Rezultatet treguan se rritja e serotoninës i bëri minjtë më të ndjeshëm ndaj tingujve dhe më të prirur për reagime të forta ndaj zhurmave, një sjellje që lidhet me përkeqësimin e tinitusit.
Në nivel neurologjik, studiuesit zbuluan se disa neurone në zonat e trurit që përpunojnë tingujt bëhen tepër aktive kur ekspozohen ndaj serotoninës. Kjo mbindjeshmëri mund të jetë një mekanizëm i mundshëm që shpjegon pse disa individë përjetojnë simptoma më të forta të tinitusit.
Këto gjetje ngrenë shqetësime për përdorimin e barnave që rrisin serotoninën, si inhibitorët selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI), të cilët përdoren zakonisht për trajtimin e depresionit dhe ankthit. Në teori, këto medikamente mund të ndikojnë negativisht tek personat që vuajnë edhe nga tinitusi.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me shumë kujdes. Studimi është kryer vetëm tek kafshët dhe nuk ka prova të mjaftueshme që të njëjtat efekte ndodhin tek njerëzit. Në praktikën klinike, shumica e pacientëve me tinitus përfitojnë nga trajtimet që përfshijnë rritjen e serotoninës, dhe vetëm një përqindje shumë e vogël raportojnë përkeqësim të simptomave. /Gazeta Shneta/


