Klinika e Neonatologjisë në QKUK është institucion terciar që ofron shërbime shëndetësore për foshnjat e sëmura dhe të porsalindurit që kërkojnë kujdes të specializuar, përfshirë rastet e lindura në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike dhe ato të referuara nga spitalet rajonale dhe private.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Dr. Luan Morina, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë trajtuar gjithsej 1560 foshnje.
“Për vitin 2025 kemi pasur 1560 raste që i kemi trajtuar nga numri total i lindjeve, duke përfshirë edhe lindjet që kanë ndodhur në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike, si dhe foshnjat e transferuara nga spitalet rajonale apo private”, ka deklaruar Dr. Morina.
Ai ka theksuar se patologjitë më të shpeshta përfshijnë problemet respiratore, çrregullimet metabolike dhe elektrolitike, si dhe anomalitë e lindura, ku dominojnë ato kardiake.
“Dominojnë sëmundjet respiratore, kemi probleme metabolike dhe çrregullime të elektroliteve, pastaj foshnje me anomali të lindura ku më së shumti dominojnë anomalitë e zemrës”, ka thënë Dr. Morina.
Sipas tij, në klinikë trajtohen edhe raste të rënda prenatale dhe foshnje që kërkojnë oksigjenoterapi.
“Kemi edhe gjendje të rënda prenatale ku foshnja lind me asfiksi të rëndë ose me nevojë për oksigjen”, ka shtuar ai.
Duke folur për kapacitetet, Dr. Morina ka theksuar se Klinika e Neonatologjisë aktualisht funksionon në kushte të qëndrueshme.
“Klinika e Neonatologjisë aktualisht është në kapacitete të mjaftueshme dhe të kënaqshme sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe stafit infermieror”, ka deklaruar ai.
Sa i përket zhvillimeve të ardhshme, ai ka përmendur futjen e shërbimeve të reja.
“Ajo çka ne mendojmë për të ardhmen është ushqimi parenteral, për të cilin jemi duke përgatitur stafin dhe trajnimet përkatëse”, ka thënë Morina.
Ai ka shtuar se synohet edhe avancimi i shërbimeve kardiologjike dhe neurologjike neonatale, si dhe përdorimi i ventilimit me High Frequency.
“Kemi synim avancimin e shërbimeve dhe përdorimin e ventilimit me High Frequency, si në qendrat e zhvilluara”, është shprehur ai.
Sipas tij, aktualisht nuk ka mungesë të barnave apo materialeve shpenzuese.
“Fatmirësisht nuk kemi probleme me barna, medikamente apo materiale shpenzuese”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, prematuriteti mbetet një nga sfidat kryesore.
“Prej 544 lindjeve, 86 kanë qenë lindje premature. 10 foshnje kanë qenë nga java 22–28, 17 nga java 29–33 dhe 59 nga java 34–36”, ka sqaruar ai.
Një zhvillim i rëndësishëm është edhe transporti neonatal, i cili është funksional që nga dhjetori i vitit 2024, ku nga kjo periudhë vetëm 3 foshnje kanë pasur nevojë për transport neonatal.
“Transporti neonatal është vazhdim i trajtimit të foshnjave në gjendje kritike dhe realizohet me autoambulancë të pajisur me aparatura të nevojshme, fatmirësisht, gjatë kësaj periudhe vetëm 3 foshnje kanë pasur nevojë për transport neonatal”, ka deklaruar ai.
Sa i përket skriningut neonatal, Dr. Morina ka bërë të ditur se programi ka nisur në tetor të vitit të kaluar dhe deri tani janë realizuar 3025 testime ku dy foshnje janë diagnostikuar me fibrozë cistike.
“Deri më tani kemi realizuar 3025 testime të skriningut neonatal”, prej rasteve të dyshuara, dy kanë rezultuar pozitive me fibrozë cistike”, ka deklaruar Dr. Morina.
Programi është shtrirë edhe në spitalet rajonale të Mitrovicës, Pejës, Gjilanit dhe Prizrenit.
Së fundi, Dr. Morina ka folur edhe për foshnjat pa përkujdesje prindërore, të cilat trajtohen në bashkëpunim me qendrat për punë sociale.
“Për vitin 2026 nuk kemi pas shumë raste. Kemi pasur një rast që është bartur nga viti 2025 në muajin shkurt, ndërsa aktualisht e kemi një foshnje që po përkujdesemi.” ka deklaruar Dr. Morina/Gazeta Shneta/




