Në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK është bërë e ditur se përmes skriningut neonatal janë identifikuar raste të hershme të sëmundjeve të rënda te të porsalindurit, përfshirë edhe fibrozën cistike.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Dr. Luan Morina, ka bërë të ditur se deri më tani janë realizuar 3025 testime, shkruan Gazeta Shneta
“Deri më tani kemi realizuar 3025 testime të skriningut neonatal”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, nga rastet e dyshuara, dy kanë rezultuar pozitive me fibrozë cistike.
“Prej gjitha këtyre rasteve, 2 raste i kemi pozitiv me fibrozë cistike”, ka thënë Dr. Morina.
Ai ka theksuar se skriningu neonatal është një nga projektet më të rëndësishme të mjekësisë preventive.
“Skriningu neonatal është një nga projektet më të rëndësishme të mjekësisë preventive, ku përmes këtyre testimeve arrijmë t’i diagnostikojmë sëmundjet para se ato të manifestohen”, ka deklaruar ai.
Duke folur për sëmundjet që identifikohen përmes këtij programi, ai ka përmendur disa gjendje të rëndësishme metabolike dhe gjenetike.
“Flasim për hipotiroidizmin kongjenital, galaktozeminë, fenilketonurinë dhe fibrozën cistike”, ka shtuar ai.
Dr. Morina ka bërë të ditur se programi tashmë është shtrirë edhe në spitalet rajonale.
“Tashmë Mitrovica, Peja, Gjilani dhe Prizreni kanë filluar këtë projekt, ndërsa Gjakova është pajisur dhe shumë shpejt pritet të fillojë me marrjen e testeve të para”, ka thënë ai.
Dr. Morina ka theksuar se skriningu ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjeve para shfaqjes së simptomave.
“Ne e dimë paraprakisht që foshnja mund të zhvillojë sëmundjen, por me diagnostikim të hershëm trajtimi është shumë më i lehtë”, ka thënë ai.
Programi i skriningut neonatal në Kosovë ka nisur në tetor të vitit të kaluar dhe po vazhdon të zgjerohet në nivel vendi./Gazeta Shneta/




