Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka aprovuar padinë Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, kundër Këshillit Shtetëror të Cilësisë për vendimin e akreditimit të programit me titull “Fizioterapi dhe Rehabilitim.
Oda e Fizioterapeutëve kishte ngritur padi kundër këtij emërtimi, si dhe kishte kërkuar që bartësit e programit të jenë profesor të fushës së fizioterapisë, transmeton Gazeta Shneta.
“Aprovohet në tërësi si e bazuar padia dhe kërkesëpadia e paditëses Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës-OFTK me seli në Prishtinë”, thuhet në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Themelore.
Në këtë vendim Gjykata e ka detyruar KShC-në që në afat prej 15 ditësh nga plotëfuqishmëria e këtij Aktgjykimi, të nxjerr vendim të ri konform kërkesës së OFTK-së të datës 08.07.2025.
“OFTK me kohë ka ofruar ekspertizën e saj për të ruajtur cilësinë e arsimit dhe integritetin e profesionit. OFTK vazhdon të jetë në gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjitha palët për të nxjerr vendime që në radhë të parë janë në përputhje me ligjin dhe ju shërbejnë profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në njoftimin e OFTK-së. /Gazeta Shneta/





