Në Klinikën Vaskulare në QKUK, është realizuar me sukses një ndërhyrje komplekse kirurgjikale për trajtimin e aneurizmës së arteries splenike tek një paciente 71-vjeçare.
Sipas njoftimit nga Qendra Klinike Universitare e Kosoves, pacientja ishte diagnostikuar me aneurizëm të arteries splenike me përmasa rreth 7 centimetra, pjesërisht të trombozuar, gjendje që paraqiste rrezik të lartë për rupturë dhe gjakderdhje potencialisht fatale.
Pas ekzaminimeve diagnostike me angiografi CT, ekipi multidisiplinar kishte vendosur që trajtimi të realizohej përmes ndërhyrjes kirurgjikale të hapur.
Gjatë operacionit është kryer aneurizmektomia dhe rekonstruksioni vaskular me anastomozë termino-terminale të arteries splenike, procedurë që ka mundësuar ruajtjen e splenit dhe funksionit të tij imunologjik dhe hematologjik.
Sipas njoftimit, rasti është shoqëruar edhe me sfida anesteziologjike dhe pulmonare, të cilat janë menaxhuar nga ekipi i anesteziologjisë dhe kujdesit intensiv.
Pacientja ka qëndruar për monitorim intensiv postoperativ për 48 orë, ndërsa pas shtatë ditësh trajtimi është liruar nga klinika në gjendje të mirë shëndetësore./Gazeta Shneta/




