Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim të madh për përmasat dhe përhapjen e shpejtë të shpërthimit të ri të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se situata është shpallur emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve kongoleze, deri tani janë regjistruar të paktën 500 raste dhe 131 viktima nga shpërthimi i Ebolës, i cili është përqendruar kryesisht në provincën lindore Ituri.
Dy raste, përfshirë një viktimë, janë raportuar edhe në Ugandë te persona që kishin udhëtuar nga Kongo.
Tedros tha se ekzistojnë disa faktorë që e bëjnë situatën veçanërisht shqetësuese, përfshirë numrin e madh të rasteve të dyshuara, përhapjen në zona të populluara dhe infektimin e punonjësve shëndetësorë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raste të virusit janë raportuar edhe në qytete të mëdha si Goma në Kongë dhe Kampala në Ugandë.
Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se virusi që po qarkullon është varianti Bundibugyo i Ebolës, për të cilin aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike.
Virusi Ebola përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar, si gjaku, djersa, të vjellat apo sekrecionet e tjera trupore.
Ekspertët thonë se punonjësit shëndetësorë dhe familjarët që kujdesen për pacientët janë ndër grupet më të rrezikuara.
Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se reagimi ndaj shpërthimit u vonua, pasi deri në momentin kur autoritetet u alarmuan përmes rrjeteve sociale më 5 maj, ishin regjistruar tashmë 50 viktima.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën katër punonjës shëndetësorë kanë humbur jetën pasi kishin shfaqur simptoma të Ebolës.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se situata nuk konsiderohet pandemi globale si COVID-19 dhe nuk rekomandohet mbyllja e kufijve ndërkombëtarë.




