Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë lejuar 13 personat e izoluar në Spitalin “Gómez Ulla” në Madrid, pas kontaktit me rastet e hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, të marrin vizita të kontrolluara pasi kanë rezultuar negativë për herë të dytë në testime.
Sipas mediave spanjolle, personat e izoluar po kalojnë ditën e nëntë të karantinës dhe nga e marta janë lejuar të dalin nga dhomat individuale dhe të lëvizin në hapësirat e përbashkëta të repartit, duke përdorur pajisje mbrojtëse dhe maska sipas protokolleve shëndetësore.
Përfaqësuesi i sindikatës CSIF në spital, José García, tha se rezultatet negative tregojnë se masat e izolimit po funksionojnë dhe nuk ka pasur transmetim të virusit brenda spitalit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ndërkohë, rasti i vetëm i konfirmuar pozitiv me hantavirus, një burrë 70-vjeçar që ndodhet në njësinë e izolimit të nivelit të lartë, raportohet të jetë në gjendje të mirë dhe me përmirësim gradual.
Sipas autoriteteve, pacienti dëshiron të kalojë në një “karantinë normale”, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë që personat e izoluar ta vazhdojnë karantinën në shtëpi pas ditës së 28-të, nëse vlerësohet se nuk paraqesin rrezik për përhapjen e virusit.
Hantavirusi është një infeksion viral që transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe në raste të rënda mund të shkaktojë probleme serioze respiratore dhe komplikime të tjera shëndetësore.




