Autoritetet e Ugandës kanë vendosur mbylljen e përkohshme të kufirit me Republikën Demokratike të Kongos, pas rritjes së rasteve të dyshuara me një variant të rrallë të virusit Ebola në shtetin fqinj. Vendimi u mor nga task-forca ugandeze kundër Ebolës, në një kohë kur shqetësimi për përhapjen e virusit në rajon po shtohet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Ugandës, kalimi në kufi do të lejohet vetëm në raste emergjente, si operacionet humanitare, transporti i mallrave, aktivitetet e ekipeve kundër Ebolës dhe çështjet e sigurisë.
Çdo person që hyn nga Kongo në rrethana emergjente do të vendoset në izolim të detyrueshëm për 21 ditë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sekretarja e Përhershme në Ministrinë e Shëndetësisë, Diana Atwine, deklaroi se të gjitha hyrjet do t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta shëndetësore dhe monitorimit të vazhdueshëm.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e mbështet mbylljen e kufijve si masë parandaluese.
Sipas OBSH-së, mbyllja e pikave kufitare mund të shtyjë njerëzit të përdorin kalime ilegale dhe të pakontrolluara, duke rritur rrezikun e përhapjes së sëmundjes.
Uganda ka raportuar shtatë raste me Ebola, përfshirë një burrë 59-vjeçar që humbi jetën në kryeqytetin Kampala.
Ndërkohë, Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin e saj të 17-të të Ebolës, ku deri tani janë regjistruar rreth 228 viktima.
Virusi Ebola përhapet përmes kontaktit të ngushtë me lëngjet trupore të personave të infektuar ose të vdekur. Punonjësit shëndetësorë dhe familjarët që kujdesen për pacientët konsiderohen më të rrezikuarit nga infektimi. /Gazeta Shneta/




