Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) ka publikuar për herë të parë një kalendar të veçantë vaksinimi për gratë shtatzëna, duke synuar t’u ofrojë mjekëve dhe pacienteve udhëzime të qarta në një kohë kur dezinformimi për vaksinat vazhdon të shkaktojë konfuzion.
Udhëzimi i ri për vitin 2026 është mbështetur nga 13 organizata të tjera mjekësore dhe shëndetësore në Shtetet e Bashkuara dhe përqendrohet në vaksinat që ofrojnë mbrojtjen më të madhe për nënën dhe foshnjën gjatë shtatzënisë dhe muajve të parë pas lindjes.
Sipas rekomandimeve, gratë shtatzëna duhet të marrin vaksinën kundër gripit sezonal në çdo periudhë të shtatzënisë, ndërsa vaksina kundër COVID-19 rekomandohet gjithashtu gjatë shtatzënisë, preferohet sa më herët.
ACOG rekomandon gjithashtu vaksinën Tdap, e cila mbron kundër tetanozit, difterisë dhe kollës së mirë, ndërmjet javës së 27-të dhe 36-të të shtatzënisë.
Po ashtu, gratë shtatzëna këshillohen të marrin vaksinën kundër virusit respirator sincicial (RSV) ndërmjet javës së 32-të dhe 36-të të shtatzënisë gjatë sezonit të qarkullimit të virusit.
Udhëzuesi përfshin edhe rekomandime specifike për vaksinat kundër hepatitit A dhe B, sëmundjes meningokokale dhe infeksioneve pneumokokale, varësisht nga faktorët individualë të rrezikut.
Ndërkohë, vaksina kundër lisë së dhenve, vaksina MMR kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, si dhe vaksina kundër papillomavirusit njerëzor (HPV), rekomandohen para shtatzënisë ose pas lindjes.
“Vaksinimi është pjesë thelbësore e kujdesit para shtatzënisë, gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes”, deklaroi Dr. Christopher Zahn, drejtor për praktikën klinike në ACOG.
Sipas ekspertëve, publikimi i këtij kalendari synon të ofrojë informacione të bazuara në prova shkencore dhe të ndihmojë profesionistët shëndetësorë në komunikimin me pacientet për përfitimet e vaksinimit.
Presidentja e ACOG, Dr. Camille Clare, tha se ndryshimet në rekomandimet kombëtare dhe përhapja e dezinformatave për vaksinat kanë krijuar pasiguri si te pacientët ashtu edhe te profesionistët shëndetësorë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që publiku të ketë qasje në informacione të besueshme dhe të bazuara në prova shkencore për vaksinimin gjatë shtatzënisë”, theksoi ajo.
Organizatat mjekësore që mbështesin udhëzimin e ri vlerësojnë se një standard i qartë dhe i unifikuar mund të ndihmojë në rritjen e besimit ndaj vaksinave dhe në mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe foshnjave.


