Sot, më 14 qershor, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Dhuruesve të Gjakut, një ditë kushtuar miliona njerëzve që dhurojnë gjak vullnetarisht dhe ndihmojnë në shpëtimin e jetëve.
Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e dhurimit të rregullt të gjakut dhe të falënderojë të gjithë dhuruesit për kontributin e tyre human.
Tema globale e këtij viti është “Një pikë e njerëzimit. Dhuroni gjak. Shpëtoni jetë.”.Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se çdo dhurim gjaku është më shumë se një procedurë mjekësore, ai është një akt solidariteti, dhembshurie dhe përgjegjësie ndaj të tjerëve, transmeton Gazeta Shneta.
Gjaku është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të prodhohet artificialisht në sasi të mjaftueshme për nevojat e pacientëve. Ai nevojitet çdo ditë për ndërhyrje kirurgjikale, trajtimin e pacientëve me kancer, komplikacionet gjatë lindjes, aksidentet dhe shumë sëmundje të tjera.
Për këtë arsye, sistemet shëndetësore mbështeten te dhuruesit vullnetarë për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të sigurt me gjak.
Sipas OBSH-së, në botë mblidhen mbi 120 milionë donacione gjaku çdo vit, por shumë vende ende përballen me mungesa të rezervave, duke e bërë të domosdoshëm angazhimin e më shumë qytetarëve në dhurimin e rregullt të gjakut.
Në këtë ditë, autoritetet shëndetësore dhe organizatat humanitare bëjnë thirrje që personat e shëndetshëm dhe të përshtatshëm për dhurim të kontribuojnë në këtë mision jetik, duke kujtuar se një dhurim i vetëm mund të ndihmojë në shpëtimin e deri në tre jetëve. /Gazeta Shneta

