Dy studime të reja paralajmërojnë për ndikimin serioz shëndetësor të valëve të të nxehtit në Francë, duke theksuar se rreziqet janë më të mëdha në zonat me kushte të dobëta banimi dhe në lagjet më të varfra.
Ndërsa Evropa përgatitet për një valë rekord të nxehti në qershor, me temperatura që në disa rajone mund të afrohen deri në 40°C, raportime të mediave franceze tregojnë pasojat e rënda shëndetësore të këtyre fenomeneve, raporton Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas një studimi të organizatës ‘Oxfam’, të lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndet, nxehtësia është përgjegjëse për rreth 5,400 vdekje në vit në Francë.
Organizata paralajmëron për një “emergjencë të vërtetë të shëndetit publik”, e cila ende nuk po trajtohet me seriozitet të mjaftueshëm nga autoritetet. Efektet e nxehtësisë nuk kufizohen vetëm te dehidratimi tek të moshuarit: rreziku për infarkt rritet me rreth 7%, ndërsa vdekshmëria tek gratë dyfishohet gjatë ditëve më të nxehta. Kur valët e të nxehtit zgjasin mbi një javë, rreziku i dështimit akut të veshkave rritet me 70%.
Studimet tregojnë gjithashtu se ndryshimet klimatike po thellojnë pabarazitë sociale. Në zonat më të varfra, vdekshmëria e tepërt gjatë verës mund të jetë deri në 31% më e lartë krahasuar me zonat më të pasura, ndërsa banorët e lagjeve më të pasura janë deri në 10 herë më pak të ekspozuar ndaj rreziqeve të të nxehtit ekstrem.
Një tjetër raport thekson se rreth 66% e qytetarëve në Francë kanë vështirësi përballë nxehtësisë brenda shtëpive të tyre, ndërsa 40% e banesave nuk kanë pajisje bazë si grila apo mjete mbrojtëse ndaj mbinxehjes.
Në zonat punëtore, problemet janë më të theksuara për shkak të ndërtesave të dendura, mungesës së hapësirave të gjelbra dhe kushteve të dobëta të banimit.
Në përgjigje të këtyre gjetjeve, organizatat kërkojnë masa urgjente nga autoritetet, përfshirë rinovimin energjetik të banesave dhe programe kombëtare për mbrojtje nga nxehtësia ekstreme, sidomos për grupet më të rrezikuara si të pastrehët. /Gazeta Shneta/


