Dy fëmijë të moshës dy dhe katër vjeç janë gjetur pa shenja jete brenda një veture familjare në qytetin Carpentras, në juglindje të Francës, mes temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin.
Sipas prokurores lokale Hélène Mourges, shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është përcaktuar, por vala e të nxehtit konsiderohet si hipoteza kryesore, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ngjarja tragjike ndodh në kohën kur Franca po përballet me temperatura të larta që në disa rajone kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Vetëm një ditë më parë, tre persona të moshuar, dy burra dhe një grua të moshës nga 80 deri në 95 vjeç, humbën jetën si pasojë e temperaturave ekstreme që kanë goditur vendin.
Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, ka paralajmëruar se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave, ndërsa temperaturat pritet të mbeten në nivele jashtëzakonisht të larta në shumë pjesë të vendit.
Ministria franceze e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin alkoolin, të mbajnë ambientet e freskëta dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të vdekjes së dy fëmijëve.


