Masa muskulore arrin kulmin shumë më herët sesa mendojnë shumica e njerëzve. Pas moshës 40-vjeçare, organizmi humb rreth 3% deri në 8% të masës muskulore për çdo dekadë, ndërsa pas të 50-ave kjo rënie përshpejtohet. Ky proces, i njohur si sarkopeni, bën që muskujt të mos reagojnë ndaj ushtrimeve si më parë.
Për gratë, periudha e perimenopauzës mund ta bëjë edhe më të vështirë ruajtjen dhe ndërtimin e muskujve, si dhe rikuperimin pas aktivitetit fizik. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se është tepër vonë për të filluar stërvitjen e forcës. Përkundrazi, përfitimet shëndetësore janë të konsiderueshme, shkruan burimi The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Sipas specialistëve, ushtrimet e rregullta të forcës dhe aktiviteti fizik ndihmojnë në uljen e rrezikut për shumë sëmundje kronike, përfshirë diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundja e Alzheimerit. Edhe personat që nuk kanë bërë kurrë stërvitje me pesha mund të përfitojnë ndjeshëm nga fillimi i ushtrimeve në moshë më të shtyer.
Ekspertët këshillojnë që fillimi të jetë gradual, duke përdorur mjete të thjeshta si shtangat e lehta, shiritat elastikë të rezistencës ose ushtrime me peshën e trupit. Objektivi nuk duhet të jetë ndërtimi i një fiziku perfekt, por forcimi i muskujve, përmirësimi i ekuilibrit, mbrojtja e kockave dhe ruajtja e pavarësisë fizike me kalimin e viteve.
Përveç përfitimeve fizike, stërvitja e forcës ndikon pozitivisht edhe në vetëbesim. Shumë gra që kanë filluar ushtrimet pas të 40-ave thonë se ndihen më të forta, më energjike dhe më të sigurta në trupin e tyre.
Mesazhi i ekspertëve është i qartë: mosha nuk është pengesë për të fituar forcë. Edhe nëse filloni më vonë, aktiviteti fizik mund të sjellë përmirësime të rëndësishme për shëndetin dhe cilësinë e jetës. /Gazeta Shneta/


