Një pushim i shkurtër prej vetëm pesë minutash lëvizje fizike çdo orë mund të ndihmojë në përmirësimin e humorit, rritjen e energjisë dhe uljen e lodhjes, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën “British Journal of Sports Medicine”.
Hulumtimi u zhvillua nga studiues të Qendrës Mjekësore të Universitetit Columbia në Nju Jork dhe përfshiu gati 11 mijë e 500 të rritur që morën pjesë në një sfidë 21-ditore për rritjen e aktivitetit fizik, shkruan HealthDay përcjell Gazeta Shneta.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe që bënin ecje pesëminutëshe çdo 30, 60 ose 120 minuta gjatë ditës. Në fund të çdo dite, ata plotësonin pyetësorë për të vlerësuar gjendjen e tyre fizike dhe mendore, si dhe performancën në punë.
Rezultatet treguan se në të gjitha grupet u vu re ulje e lodhjes dhe përmirësim i humorit. Megjithatë, studiuesit konstatuan se pushimet pesëminutëshe çdo 60 minuta ofrojnë ekuilibrin më të mirë mes efektivitetit dhe lehtësisë së zbatimit në rutinën e përditshme.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte se këto pushime nuk ndikuan negativisht në produktivitetin në punë. Përkundrazi, studiuesit raportuan përmirësime të vogla, por të matshme, në angazhimin dhe performancën e pjesëmarrësve.
Autorët e studimit theksojnë se rezultatet mbështesin përdorimin e pushimeve të shkurtra me lëvizje si një strategji e thjeshtë dhe e realizueshme për përmirësimin e shëndetit publik, veçanërisht për personat që kalojnë pjesën më të madhe të ditës ulur.
Ekspertët rekomandojnë që punonjësit dhe personat me stil jetese sedentare të përfshijnë ecje të shkurtra ose aktivitete të lehta fizike gjatë ditës, pasi edhe pak minuta lëvizje mund të sjellin përfitime të dukshme për mirëqenien fizike dhe mendore.


