Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka zbuluar një mekanizëm të panjohur më parë që mund të ndihmojë në luftimin e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve, një zhvillim që mund të hapë rrugën për strategji të reja kundër infeksioneve të vështira për t’u trajtuar.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature Microbiology”, është udhëhequr nga studiues të Universitetit të Kalifornisë në San Diego, me pjesëmarrjen e kërkuesve nga Universiteti Pompeu Fabra në Spanjë.
Studiuesit identifikuan një mekanizëm biologjik që u mundëson baktereve të largohen nga biofilmet, struktura mbrojtëse ku ato grumbullohen dhe mbrohen nga antibiotikët dhe sistemi imunitar.
Biofilmet janë shtresa ngjitëse të krijuara nga vetë bakteret, të cilat u ofrojnë atyre mbrojtje dhe i bëjnë infeksionet shumë më të vështira për t’u trajtuar. Ato lidhen shpesh me infeksione të vazhdueshme te pacientët me proteza, kateterë apo plagë që nuk shërohen.
Sipas studiuesve, bakteret prodhojnë një substancë në formë xheli, e cila thith ujë dhe krijon presion të mjaftueshëm për të nxjerrë disa baktere jashtë biofilmit. Kjo u mundëson mikroorganizmave të përhapen dhe të kolonizojnë zona të tjera.
Gjatë eksperimenteve laboratorike, ekipi arriti ta manipulojë këtë mekanizëm duke e forcuar atë, çka bëri që biofilmet të shpërbëheshin pa përdorur antibiotikë.
Megjithatë, autorët theksojnë se bëhet fjalë për rezultate të arritura vetëm në laborator dhe se kjo qasje nuk është ende gati për t’u përdorur si trajtim te pacientët.
Sipas tyre, zbulimi mund të shërbejë si bazë për zhvillimin e terapive të reja kundër infeksioneve bakteriale që janë bërë rezistente ndaj antibiotikëve, një problem që konsiderohet ndër kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik në nivel global.


