Melanoma e lidhur me shtatzëninë mund të ketë disa karakteristika të veçanta klinike dhe më shumë se gjysma e rasteve zhvillohen mbi nishane (nevuse) që kanë ekzistuar më parë, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Journal of the European Academy of Dermatology & Venereology”.
Studimi analizoi tiparet epidemiologjike dhe kliniko-patologjike të melanomës së lidhur me shtatzëninë (PAM), duke krahasuar këto raste me melanomat që nuk lidhen me shtatzëninë, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Maria Kostaki nga Spitali i Përgjithshëm i Athinës në Greqi, analizuan të dhënat e 1 mijë e 270 grave në moshë riprodhuese, nga 15 deri në 49 vjeç, të diagnostikuara me melanoma gjatë periudhës 2012–2022 në gjashtë qendra të specializuara për melanomën në pesë vende evropiane.
Nga këto raste, 70 gra (5.5%) u klasifikuan me melanoma të lidhur me shtatzëninë.
Rezultatet treguan se gratë me PAM ishin më të reja dhe kishin më shumë gjasa të kishin një numër të lartë nishanesh në trup krahasuar me gratë që kishin melanoma jashtë periudhës së shtatzënisë.
Shumica e rasteve të PAM (80%) ishin melanoma me përhapje sipërfaqësore, forma më e zakonshme e melanomës. Trashësia mesatare e tumorit sipas indeksit Breslow ishte 1.16 milimetra, ndërsa 12.9% e tumoreve kishin shfaqur ulçerim.
Një gjetje e rëndësishme ishte se 57.1% e melanomave të lidhura me shtatzëninë u zhvilluan mbi një nishan ekzistues, duke theksuar rëndësinë e monitorimit dermatologjik gjatë kësaj periudhe.
Autorët theksojnë se fakti që melanoma gjatë shtatzënisë shfaqet shpesh mbi nishane ekzistuese tregon nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit të grave dhe kontrolleve dermatologjike gjatë shtatzënisë, veçanërisht kur vërehen ndryshime të dyshimta në lëkurë. /Gazeta Shneta/


