Gjithsej 7,721 fëmijë janë vaksinuar kundër fruthit në Prishtinë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Shefja e njësisë së vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Dr. Xhevrije Canolli, thotë se është shënuar rritje e mbulueshmërisë me vaksinën MMR, ndërsa u bën thirrje prindërve të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Dr. Xhevrije Canolli bëri të ditur se nga janari deri në qershor janë vaksinuar 1,861 fëmijë të grupmoshës (1-5 vjeç), 2,733 fëmijë të grupmoshës (5-7 vjeç), si dhe 3,127 nxënës të klasës së parë, të cilët morën dozën e dytë të vaksinës MMR
Ajo theksoi se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është shënuar rritje e mbulueshmërisë me vaksinën kundër fruthit.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kemi pasur rritje të përfshirjes me vaksinën MMR rreth 9 për qind në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar,” u shpreh ajo.
Canolli thotë se vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për të parandaluar përhapjen e fruthit, duke u bërë apel prindërve që të mos e shtyjnë imunizimin e fëmijëve.
“Ju bëj thirrje prindërve të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive. Para përdorimit ato kalojnë nëpër një sërë testesh laboratorike dhe të sigurisë, të cilat janë shumë strikte dhe rigoroze. Vaksinat që përfshihen në Kalendarin e Rregullt të Imunizimit janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë,” deklaroi Canolli.
Ajo shtoi se informatat për vaksinimin duhet të merren vetëm nga burime të besueshme dhe theksoi se imunizimi jo vetëm që mbron fëmijët nga sëmundjet infektive, por kontribuon edhe në mbrojtjen e shëndetit publik. /Gazeta Shneta/




