Valon Osmani nga policia rajonale e Gjilanit thotë se sot rreth orës 16:30, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë.
I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete, tha Osmani për Gazetën Express.
Ai tha se njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Po ashtu, si pasojë e kushteve atmosferike, dy persona meshkuj kosovar nga fshati Pozheran kanë pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e rrëzimit të dyerve hyrëse të oborrit të tyre.
Të njëjtit pas tretmanit mjekësor të pranuar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan janë liruar për në shtëpi.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek qytetarët që gjatë kushteve të tilla atmosferike të kenë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.




