Ministria e Shëndetësisë së Kosovës (MSh), ka pritur sot një delegacion të përbërë nga përfaqësues të institucioneve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe partnerë të UNICEF-it, të cilët po zhvillojnë një vizitë studimore dyditore në Kosovë.
Sipas një njoftimit të MSh-së, kjo vizitë ka për qëllim, njohjen nga afër me “Programin për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme”, i cili ka nisur të zbatohet këtë vit në Kosovë, si dhe me modelin e ofrimit të këtyre shërbimeve në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor, përcjell Gazeta Shneta.
Gjatë qëndrimit, delegacioni do të informohet për përfshirjen e profesionistëve si logopedë, psikologë, fizioterapistë dhe punëtorë socialë në nivelin parësor shëndetësor, me synim mbështetjen e zhvillimit të hershëm të fëmijëve dhe rritjen e përkrahjes për familjet.
Sipas MSh-së, bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë do të vazhdojë për avancimin e shërbimeve të ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme, me synim sigurimin e qasjes së çdo fëmije në shërbime cilësore dhe në kohën e duhur. /Gazeta Shneta/




